Mësimdhënia dhe Mësimnxënia

UBT BSc Konceptet e mësimdhënies dhe të vlerësimit

Kalendari akademik siguron informata për datat specifike të rëndësishme gjatë vitit akademik, duke ofruar informata për fillimin dhe përfundimin e ligjëratave, afatet e provimeve, afatet për regjistrim dhe për nënshtrim në provime.

Kalendari akademik aprovohet çdo fillim vit. Një vit akademik zgjat 30 javë dhe është i ndarë në dy semestra: semestri dimëror dhe semestri veror (të dy nga 15 javë) me tre afate të rregullta të provimeve në këto afate ( Janar, Qershor dhe Shtator). Pesha normale e studimeve është 30 ECTS kredi për semestër. Në mënyrë që të mbajnë statusin e studentit, studentët duhet të kenë së paku 45 ECTS kredi për vit akademik. Dokumenti bazik për organizimin e studimeve gjatë semestrit është orari i ligjëratave, përmes të cilit synohet shpërndarje e drejtë dhe e barabartë e peshës së studimeve gjatë gjithë kohës së studimeve.

 

Mësimdhënia: Mësimdhënia ofrohet përmes ligjëratave interaktive, seminareve, si dhe mësimeve individuale. Praktika e zakonshme është që gjatë javës të ketë  ligjëratë dhe ushtrime ashtu si janë të përcaktuara në kurikulë. Në përshtatje me qasjet pedagogjike, disa njësi mund të kërkojnë një mësimnxënie më direkte. Në shumë lëndë, studentëve u kërkohet të lexojnë disa materiale obligative, zakonisht 15-20 faqe për orë mësimore. Po ashtu, punimet që zakonisht kërkohen janë punime kërkimore deri në 15 faqe. Sesionet e seminarëve janë mundësi që u ofrohen studentëve që të diskutojnë më thellë temat e javës dhe të marrin opinione shtesë për temat e caktuara. Prandaj, pjesëmarrja në seminare është e obligueshme. Platforma elektronike Moodle, e bën shumë më të lehtë komunikimin profesor – student. Në këtë platformë profesorët mund të vendosin të gjitha materialet relevante për lëndën e tyre, të organizojnë kuize online, të komunikojnë rezultatet e testimeve, të dërgojnë njoftime të ndryshme tek studentët, si dhe t’u përgjigjen pyetjeve të studentëve.

 

Vlerësimi: Vlerësimi bëhet përgjatë gjithë semestrit dhe bazohet në punë ekipore, punë individuale, prezantime si dhe provime mes-semestrale dhe përfundimtare me shkrim. Të gjitha lëndët janë të përshkruara në PlanProgramin e Fakultetit, ku çdo syllabus përshkruan kërkesat kryesore, mënyrën e vlerësimit, si dhe literaturën obligative.  Gjatë viteve të studimit, studentët janë të përfshirë në punë individuale,  në punë seminarike,  projekte e deri në vit të fundit të studimeve, ku studentit i kërkohet  të punoj një punim diplome me temë të përcaktuar nga Fakulteti,  duke punuar sipas kritereve të përcaktuara në sistemin e Bolonjës. Provimi me shkrim ka peshë prej 50-60%, kurse aktivitetet tjera plotësojnë edhe 40-50% të notës finale.