Media dhe Komunikim

Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT është një institucion arsimor e edukativ që ndërlidh idetë dhe konceptet teorike me ato praktike. Mision i këtij Fakulteti është që, studentëve t’u ofrojë njohuri mbi teoritë shoqërore dhe politike; mbi teoritë dhe përvojat profesionale; mbi opinionin publik; mbi tregun, etj..

Meqë mediat dhe komunikimi konsiderohen si mjete për avancimin e demokracisë dhe lirisë, studentët do të pajisen me njohuri që do t’u shërbejnë atyre dhe shoqërisë në përgjithësi, e që do t’u ndihmojë në profesionalizmin gazetaresk të tyre. Kjo nënkupton ofrimin e kushteve konform standardeve dhe parimeve të përgjithshme që do të shërbejnë për vetërregullimin e medias dhe për përmbushjen e përgjegjësisë së komunikimit me  publikun. Në të vërtetë, ata do të njihen me të vërtetën e informatave, me qartësinë e informatave, me mbrojtjen e të drejtave të publikut, me përgjegjësinë për formimin e opinionit publik, me standardet e mbledhjes dhe të prezantimit të informacioneve, me respektimin e integritetit të burimeve, etj..

Ajo që e veçon këtë Fakultet nga Fakultetet e natyrës së ngjashme është se, në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT theksohet komunikimi dhe procesi i komunikimit më shumë se sa përmbajtja. Ky komunikim në të vërtetë thekson obligimin ndaj shoqërisë, dhe dialogun me publikun, të cilit i shërben. Ndërkaq media shihet si një nga mjetet me një rol integrues dhe të artikuluar. Duke pasur parasysh modelet e ndryshme normative për median, UBT nëpërmjet këtij Fakulteti, studentëve u ofron mundësi dhe hapësirë të nevojshme në të shprehurit e pikëpamjeve të ndryshme, në kuadër të autonomisë profesionale të komunikimit dhe medias.