Kërkime shkencore

Kërkimet shkencore në Media dhe Komunikim

Plani strategjik i hulumtimeve ndihmon stafin akademik të Fakultetit të Mediave dhe Komunikimit që të avancojë dhe të intensifikojë kërkimet shkencore. Zbatimi i standardeve të njohura ndërkombëtarisht në lëmi të mediave, komunikimit, gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun është komponent i rëndësishëm i misionit dhe rolit të Fakultetit Media dhe Komunikim të UBT-së. Ne synojmë ekselencë në punën hulumtuese dhe e konsiderojmë kërkimin shkencor në lëmi përkatëse, pjesë të përgjegjësive shoqërore. Ky plan strategjik na ndihmon që të zgjerojmë dhe thellojmë kërkimet përmes realizimit të projekteve në kuadër të fakultetit, në bashkëpunim me fakultetet e tjera të UBT-së si dhe me institucione të tjera partnere. Si i tillë, angazhimi në hulumtimet shkencore do të ketë ndikim shoqëror dhe do të ofrojnë rezultate të dobishme për faktorë të ndryshëm me ndikim shoqëror. Synimi ynë kryesor është, që t’i shërbejmë shoqërisë përmes hulumtimeve cilësore në fushëveprimin tonë.

Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT, vlerëson se zhvillimi i projekteve shkencore sipas standardeve të mirënjohura ndihmon ngritjen e nivelit të cilësisë së studimeve, e sidomos në fushën e mediave dhe të komunikimit, si dhe i shërben industrisë së mediave.

Fakulteti Media dhe Komunikim përgatit punonjës profesionalë për të gjitha kategoritë e mediave. Paralelisht, ne ofrojmë projekte shkencore, të cilat mund të ndihmojnë kompanitë mediatike, që të përshtatin programet dhe të adoptojnë politika me të cilat avancojnë kredibilitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre në mjedisin shoqëror dhe mediatik. Duke ndjekur trendët më të reja në ekosistemet e mediave dhe fushat e tjera të ndërlidhura me mediat, ne ofrojmë dije që hap mundësi të reja për zhvillimin e kërkimeve interdisiplinare, me rezultate që mund të shfrytëzohen nga faktorët politik, ekonomik, social, kulturor, etj..

Në përputhje me Synimet Kryesore Strategjike Kërkimore të UBT-së, Fakulteti Media dhe Komunikim themelon Qendrën Kërkimore Shkencore në Media dhe Komunikim. Kjo qendër mbështet veprimtarinë kërkimore të stafit të fakultetit dhe hulumtuesve shkencorë në lëmin e mediave, komunikimit, gazetarisë, dhe marrëdhënieve me publikun. Në përgatitjen e hulumtimeve, përveç stafit akademik, Qendra Kërkimore synon të përfshijë edhe studentët e programit Master, të cilëve u ofron mjedis stimulues dhe mbështetës për kërkime dhe trajnim.

Qendra mbështet avancimin e kërkimeve shkencore në nivel të fakultetit dhe në projektet interdisiplinare me hulumtuesit e fakulteteve të tjera, përfshirë projektet e përbashkëta të studentëve nga fakultete të ndryshme.

Qendra mbështet realizimin e projekteve të përbashkëta me institucione dhe organizata të ndryshme. Përmes stafit të Fakultetit Media dhe Komunikim dhe bashkëpunimeve profesionale me organizata partnere, ne synojmë realizimin e projekteve shkencore, të cilat do të kenë ndikim te komuniteti i hulumtuesve, industria e medias dhe institucione të tjera.

Në lëmin e bashkëpunimeve me organizata dhe faktorë të tjerë nga Kosova dhe institucione të vendeve të tjera, synohet përgatitja e hulumtimeve me ndikim rajonal dhe më gjerë. Angazhimi në projekte të përbashkëta me hulumtues nga institucione partnere të UBT-së nga vende të ndryshme, është ndër synimet prioritare të Qendrës Kërkimore Shkencore në Media dhe Komunikim.

Ligjëruesit e fakultetit të Mediave dhe Komunikimit, si anëtarë të kësaj qendre, synojnë publikime peer-reviewed dhe pjesëmarrje në konferenca të ndryshme ndërkombëtare si dhe në aktivitete të tjera shkencore.

 

Grupet hulumtuese

Fakulteti Media dhe Komunikim dhe Qendra Kërkimore Shkencore në Media dhe Komunikim mbështesin grupet hulumtuese si më poshtë:

 

Grupi hulumtues për mediat dhe gazetarinë e shkruar dhe elektronike

Grupi hulumtues për mediat dhe gazetarinë e shkruar dhe elektronike zhvillon veprimtarinë dhe ndikimin e kësaj kategorie të rëndësishme të mediave. Mediat tradicionale të shkruara kalojnë nëpër procesin sfidues të transformimit në media që kërkojnë audiencat online. Në këtë proces ato përballen me problemet e riformësimit të redaksive të tyre dhe me transformimin e funksioneve të gazetarëve. Projektet dhe rezultatet e punimeve të këtij grupi do të ndihmojnë riformësimin dhe përshtatjen e metodave të mësimdhënies në lëndët përkatëse në fakultet. Në lëmin e dobisë shoqërore, rezultatet e këtyre kërkimeve do t’u shërbejnë kompanive mediatike dhe faktorëve të tjerë në ndërtimin e raporteve me mediat në të ardhmen.

 

Grupi hulumtues për mediat transmetuese

Grupi hulumtues për mediat transmetuese fokusohet në hulumtimet për radion dhe televizionin në ekosistemet e mediave të shekullit XXI. Epoka e “revolucionit digjital” ka krijuar realitete dhe mundësi të reja për zhvillimin e radios dhe televizionit. Por, mundësitë e shtuara kërkojnë përshtatjen dhe transformimin e transmetimeve në platforma të reja si dhe qasje të reja ndaj audiencave. Ky grup do të përgatis hulumtime për procesin e konvergjencës së kësaj kategorie të mediave, ndryshimet në strukturën organizative të tyre, transformimin e profilit të gazetarit, arritjes së audiencave në platformat e reja dhe ndërtimit të komunikimit me to. Kërkimet nga ky grup do të ndihmojnë fakultetin dhe komunitetin e studiuesve të mediave dhe komunikimit, në nivel nacional dhe ndërkombëtar duke shërbyer si referencë në studimet për sistemet e mediave në vendet e Ballkanit.