Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi

Ҫka ofron fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi?

Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi ka dizajnuar programe specifike, duke marrë në konsideratë kërkesat e tregut nga trendët vendorë, regjionalë dhe ata botërorë të zhvillimeve dhe kërkesat e tregut të punës. Programi është hartuar bazuar në faktorët më të rëndësishëm dhe nga treguesit e matshëm të nevojave për zhvillim ekonomik dhe të mundësive të reja të vendeve të punës në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Burimet hyrëse për të dizajnuar programet e Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi janë marrë duke filluar nga Strategjia Kombëtare e Punësimit dhe Planit për Zhvillim Ekonomik Kombëtar, Reformat Biznesore të hartuara nga USAID-i, Programi për Zhvillim të Sektorit Privat i Bankës Botërore, të Ministrive përkatëse të Republikës së Kosovës, pikëpamjet e biznesit privat në Kosovë, si dhe konkluzionet nga konsultimi me studentët aktualë dhe alumnin e MBE-së.

Procesi i dizajnimit të programeve ka marrë parasysh edhe krijimin e infrastrukturës moderne dhe të stafit akademik me eksperiencë dhe njohuri ekselente nga fushat adekuate. Në këtë rast është ngritur infrastrukturë e re, është rinovuar infrastruktura ekzistuese, është modernizuar teknologjia për mësim proaktiv në platformën elektronike ‘Moodle’ dhe ambienti i mësimit është pajisur me mjete të nevojshme dhe me libra adekuatë për studim modern profesional.

Programet e dizajnuara të fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi janë programe të akredituara dhe të ri-akredituara nga ekspertët ndërkombëtarë të fushës së menaxhimit, të biznesit dhe të ekonomisë, si dhe të Agjencisë për Akreditim të Republikës së Kosovës për periudhën 2015-2020. Akreditimi është një proces që ka për detyrë të identifikojë nëse programet janë adekuate, i plotësojnë të gjitha normat dhe standardet akademike kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe se janë programe të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe për tregun e punës. Në këtë rast të gjitha programet e MBE janë akredituar, gjë që dëshmon që programet janë serioze dhe me vlerë të posaçme kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

MBE