Programi i Psikologjisë në UBT karakterizohet nga një kurrikulë e pasur dhe gjithëpërfshirëse, e cila i përshtatet si të diplomuarve të shkollave të mesme ashtu edhe profesionistëve nga fusha të ndryshme që kërkojnë një orientim të ri në karrierë. Kurrikula ndërthur njohuritë themelore dhe të avancuara nga fusha e psikologjisë me lëndë ndërdisiplinore, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë një kuptim të gjerë dhe të thelluar të aspekteve teorike dhe praktike të profesionit.
Programi synon përgatitjen e profesionistëve të aftë për të kontribuar në një gamë të gjerë institucionesh dhe shërbimesh – përfshirë institucionet publike dhe private, organizatat joqeveritare, sistemin arsimor, shëndetësinë, shërbimet e këshillimit dhe psikoterapisë, si dhe organizatat komunitare. Studentët përfitojnë nga mundësitë e shumta për praktikë profesionale dhe angazhim aktiv në projekte kërkimore dhe ndërveprime me komunitetin.
UBT ofron gjithashtu një mjedis të hapur dhe të mirëorganizuar për studentët ndërkombëtarë. Programi i Psikologjisë është i dizajnuar për të përfshirë dhe mbështetur studentët nga vende të ndryshme, duke ofruar:
· Mbështetje gjatë integrimit akademik dhe kulturor, përmes orientimeve, mentorimeve dhe aktiviteteve sociale;
· Mundësi shkëmbimi akademik ndërkombëtar përmes marrëveshjeve me universitete partnere në SHBA (si University of Northern Iowa), Austri, Itali, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe më gjerë;
· Pjesëmarrje në trajnime, konferenca dhe praktika ndërkombëtare që ndihmojnë në zhvillimin profesional dhe ndërkulturor të studentëve;
· Përfshirje në Qendrën e Këshillimit për Studentë të UBT, e cila shërben si platformë për zhvillim praktik në fushën e këshillimit psikologjik dhe është e vetmja qendër e këtij lloji në arsimin e lartë në Kosovë.
Përmes kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse dhe ndërkombëtare, Programi i Psikologjisë në UBT u ofron studentëve – vendas dhe ndërkombëtarë – një përgatitje cilësore dhe konkurruese për tregun global të punës në fushën e psikologjisë dhe më gjerë.