Nesër ICT Awards do të mbajë takim informues me studentë të UBT-së

 Nesër ICT Awards do të mbajë takim informues me studentë të UBT-së

Në UBT, nesër, më 16 mars, do të mbahet takimi informues për aplikimet në edicionin e VI të ICT Awards, duke filluar nga ora 13:00.

 

Ky takim do të organizohet për të gjithë studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, të Fakultetit e Mekatronikës, të Fakultetit të Shkencave të Informacionit, si dhe për pjesëmarrësit e qendrave për aftësime dhe trajnime profesionale në kuadër të UBT-së.
Takimi do të mbahet nga ekipi e ICT Awards, në bashkëpunim me koordinatorët e UBT-së.


Në këtë organizim madhor, mundësi aplikimi do të ketë secili shtetas shqiptar, i cili ka qenë bartës i së paku një projekti të suksesshëm përgjatë periudhës 2017-2018.
Po ashtu, mundësi aplikimi ka çdokush që, përmes përdorimit të teknologjisë, arrin të demonstrojë rezultate në aspektin e zhvillimit të një teknologjie të re apo edhe përdorimin e një teknologjie ekzistuese me metoda të reja.

 

Krahas shtatë kategorive tradicionale, ky edicion vjen me surpriza të reja sa i përket ndarjes së çmimeve risi:
ICT Inovacioni i Vitit
ICT Mobiliteti i Vitit
ICT Diploma e Vitit
ICT Ylli në Ngritje i Vitit
ICT Shërbimi Publik më i Mirë i Vitit (Kosovë / Shqipëri)
Femra ne ICT
Siguria Kibernetike

 

Juria e Albanian ICT Awards do të jetë e përbërë nga personalitetet më të shquara të sektorit të teknologjisë së informacionit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, e cila do të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe do të jetë e bazuar në mënyrë strikte në rregullat dhe kriteret e vlerësimit të vendosura me profesionalizëm të lartë, që kanë në fokus vlerat më të spikatura të sektorit të IT-së, komunikimit, biznesit dhe të shoqërisë.

 

Afati i fundit për Aplikim është data 31 mars 2017, ora 23:59.

Lajme