UBT do t’i edukojë 200 persona në vit për inteligjencë artificiale përmes projektit të fituar nga Fondi Rajonal i Sfidave (RCF)

25/04/2024

Në mesin e pesë kompanive, UBT është përfituese e projektit për arsim dhe aftësim profesional nga Fondi Rajonal i Sfidave (RCF). Rreth 200 persona në vit do të edukohen për inteligjencë artificiale, dhe kjo është një mundësi unike për t’u bërë të gatshëm për tregun e punës.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka thënë se ky projekt do të rritë kuadrin e punës për investime të huaja për punësim. Ai tha se ideja e projektit është që të ndërlidh praktikë, punësim dhe shkollim.

“Kemi fituar një projekt të Bankës Gjermane për zhvillim dhe Qeverisë Zvicerane që lidhet me kompetencat. Lidhet me përkrahjen e kompetencave profesionale në fushën e IT-së në pjesën e inteligjencës artificiale në zhvillim. Është një fushë që mbështet vendet e punës të së ardhmes dhe në bazë të kësaj do të punojmë të hapim një sektor të bashkëpunimit me industrinë në nivelin e pestë të arsimit profesional. Do të krijojmë kuadrot dhe do të rrisim sa më shumë mundësi për investime të huaja po edhe për punësim. Ky projekt në bashkëpunim me industrinë dhe pjesën e edukimit është një projekt shumë i mirë për të lidhur ngushtë akademinë. Së pari, të rinjtë do të marrin diplomat për këtë fushë dhe ideja është që ata të punësohen menjëherë, sapo të fillojnë shkollimin dhe punësimin dhe të bëhet një lloj paralelizmi, praktikë, punësim dhe shkollim. Kemi menduar rreth 200 persona në vit dhe ky projekt do të rritet edhe në universitet”, tha Rektori Hajrizi.