UBT organizon workshop për forcimin e integritetit akademik në kuadër të projektit SINCERE

29/10/2026

Në kuadër të projektit SINCERE – Strengthening Integrity and Ethical Culture in Regional Higher Education, në UBT u mbajt një workshop i dedikuar integritetit akademik, me pjesëmarrjen e stafit administrativ dhe profesorëve.

Qëllimi i workshopit ishte të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e integritetit akademik, të nxisë diskutimin rreth sfidave aktuale në mjedisin universitar dhe të krijojë hapësirë për shkëmbim të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet pjesëmarrësve.

Gjatë workshopit, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe punuese, me fokus të veçantë në perspektivën e stafit dhe atë të studentëve. Në kuadër të punës në grupe u diskutuan çështje që lidhen me zbatimin e parimeve të integritetit akademik, parandalimin e plagjiaturës dhe formave të tjera të sjelljes joetike, përdorimin e drejtë të burimeve akademike, si dhe sfidat që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në procesin e mësimdhënies, të nxënit dhe punës kërkimore.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të identifikojnë sfidat më të shpeshta që paraqiten në praktikë, të propozojnë masa për përmirësimin e procedurave institucionale dhe të diskutojnë mënyrat se si stafi akademik, administrativ dhe studentët mund të kontribuojnë së bashku në krijimin e një kulture më të fortë të përgjegjësisë, transparencës dhe sjelljes etike.

Workshopi gjithashtu shërbeu si një mundësi për të prezantuar objektivat dhe aktivitetet kryesore të projektit SINCERE, i cili synon të forcojë kapacitetet institucionale për promovimin dhe monitorimin e integritetit akademik përmes zhvillimit të politikave dhe procedurave të qarta, përdorimit të mjeteve digjitale, ngritjes së kapaciteteve të stafit dhe përfshirjes aktive të komunitetit universitar.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi akademik ku integriteti, përgjegjësia dhe transparenca janë pjesë e pandashme e procesit të mësimdhënies, të nxënit dhe kërkimit shkencor.