U organizua konferenca “Zhvillimi ekonomik i Kosovës, e kaluara e tashmja dhe e ardhmja”

U organizua konferenca “Zhvillimi ekonomik i Kosovës, e kaluara e tashmja dhe e ardhmja”

Prishtinë, 4 nëntor. - Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në ambientet e Hotelit Grand në Prishtinë, kanë organizuar Konferencën me temë “Zhvillimi ekonomik i Kosovës, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, ku përfaqësues të bizneseve dhe të institucioneve qeveritare dhe joqeveritare, kanë zhvilluar një debat të gjerë rreth zhvillimit ekonomik, por edhe rreth zhvillimit të bizneseve dhe vështirësive të tyre me të cilat ballafaqohen ato sot.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se zhvillimi ekonomik në vend ka qenë një sfidë në të kaluarën, por edhe aktualisht zhvillimi ekonomik është në një gjendje jo të lakmueshme, kur merren parasysh parametrat e zhvillimit.


Megjithatë, përkundër vështirësive, krizës ekonomike globale dhe sfidave të ndryshme, bizneset kanë arritur që të mbijetojnë, të prodhojnë ose të kryejnë shërbime dhe të krijojnë një afarizëm të suksesshëm. Shahini ka kërkuar nga të pranishmit që të kyçen në debat dhe të japin mendimet e tyre rreth zhvillimit ekonomik dhe ndërmarrësisë në sektorin privat, përkatësisht zhvillimin e bizneseve, si dhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen bizneset dhe komuniteti i biznesit.
Dr. Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, ka thënë se zhvillimi ekonomik i vendit varet edhe prej zhvillimit të sektorit privat dhe bizneseve, duke filluar prej ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe deri ato të mëdhatë. Zhvillimi i tyre varet prej shumë faktorëve, menaxhimit, planifikimit afarist, gjetjes së tregut, etj., mirëpo nevojitet edhe ndihma nga ana e shtetit, përmes infrastrukturës ligjore favorizuese, politikave fiskale dhe kreditimit me norma tejet të vogla të interesit.


“Përmes një angazhimi permanent dhe një planifikimi të mirë e detaj, ekonomia mund të zhvillohet. Përmes zhvillimit të sektorit privat ne krijojmë ndikim në zhvillimin ekonomik. Pyetja është si ta bëjmë një plan strategjik, plan aksional dhe planet e tjera të zhvillimit”, ka thënë Dr. Hajrizi.
Ai ka shtuar se prej vlerave që ne i gjenerojmë, si në planifikim, menaxhim, qasjen e sistemit financiar, etj., bizneset mund të arrijnë rezultate dhe të kemi një ekonomi të zhvilluar.
”Nga parimet biznesore që ne i quajmë rezultate, nga parimet e partneritetit dhe përvojat e bizneseve, mund të mësojë edhe vetë shteti dhe institucionet. Me një punë të përbashkët të të gjithëve dhe me një përkushtim, ne mund të krijojmë një vend të zhvilluar. Sigurisht se në vitet e ardhshme do të jemi më mirë se sa jemi tash”, ka thënë ndër të tjera Dr.Hajrizi.


Petraq Milo,  këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, ka thënë se zhvillimi ekonomik në Shqipëri, sipas ekspertëve, ka një shkallë të konkurrencës rajonale dhe evropiane. Sipas tij, duhet të ekzistojë mbështetja për zhvillimin e bizneseve, si dhe ndihma për to me kreditime favorizuese dhe politika nxitëse fiskale. Kapacitetet duhet të shfrytëzohen, kurse nga bizneset mund të marrim përvoja, ka thënë Milo. Më tej ai ka shtuar se në Shqipëri veprojnë shumë biznese, të cilat nuk kanë licenca, por në anën tjetër nevojitet që të bëhen reforma të thella të biznesit, të futet teknologjia informative moderne, qasje në sistemin bankar, kurse prodhimet të eksportohen. Për të gjitha këto bizneset kërkojnë mbështetje, ka thënë Milo.


Milazim Abazi ka thënë se ne jemi vonuar me zhvillimin ekonomik. Sipas tij kjo ka ndodhur për shkak të dy gjërave, një ishte koha e Milosheviqit, kur e shkatërroi ekonominë kosovare, dhe dy pasojat e luftës shkatërrimtare. “Kosovës deri më tash i ka munguar një strategji e zhvillimit. Këtë edhe pas 10 viteve nuk e kemi. Ngjarja kyçe pas luftës ishte privatizimi, mirëpo themelimi i fondit të mirëbesimit ishte një gabim, sepse mjetet nga ky privatizim i NSH-ve u bllokuan jashtë vendit, njësoj sikurse edhe mjetet e Trustit”, ka thënë Abazi.


Sipas tij, një problem tjetër me të cilin ballafaqohet Kosova është shantazhimi i CEFTA-s dhe borxhet e jashtme, të cilat borxhe prej vitit ’89 deri ‘99 duhet t’i paguajë Serbia. 
Gani Gërguri ka folur për rolin e BQK-së, si një licencues dhe rregullator në tërë sistemin financiar dhe ndikimin që ka BQK-ja për ndihmën e zhvillimit të bizneseve, siç është dhënia e kredive, që sipas tij, ka arritur në mbi 1 miliardë e 72 euro, që fletë për mbështetjen e biznesit.
Naser Grajcevci, nga MTI-ja ka thënë se ka parametra jo të volitshëm ekonomik, ndërsa në zhvillimin e ndërmarrësisë ka probleme infrastrukturore, siç është energjia, etj.


“Edhe pas 10 viteve Kosova ende nuk ka strategji zhvillimore. Numri më i madh i bizneseve janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. E kemi problem transportin, kurse prokurimi publik është me rëndësi. Papunësia nuk është si u tha 70 për qind, por 38-45 për qind. Kultura e ndërmarrësisë ende mungon, ka nivele të ndryshme, kurse edhe hulumtimi i tregjeve nuk është i kënaqshëm”, ka thënë Grajcevci.
Sokol Krasniqi, këshilltar në MTI ka thënë se ne duhet të hyjmë në ekonominë e tregut, kurse iniciativat e biznesit dhe ato qytetare, janë të mirëseardhura. “Sa i përket zhvillimit ekonomik, ne ende nuk kemi strategji zhvillimore. Edhe më tej mungon menaxhimi i mirë i projekteve. Ne duhet të bashkërendisim veprimtarinë zhvillimore në relacionin biznes-komuna”, ka thënë Krasniqi.
Artan Celina, profesor në UBT ka thënë se brengat janë të rëndësishme për zhvillimin e bizneseve e me këtë edhe të ekonomisë. “Kompanitë kanë mjete për marketing, por nuk kanë plane për këtë”, ka thënë ai.


Ndërkaq, pronari i Fabrikës “Inter-Company”, Sylejman Konushevci, ka thënë se CEFTA po i sjell dëme ekonomisë vendore. “Sikur  në vitin 2015 apo 2020 ta kishim CEFTA-n, për ne atëherë do të ishte mirë, ngase ne po jetojmë prej importit e jo prej eksportit, derisa vendet e tjera jetojnë prej eksportit. Ne prodhuesit më parë duhet ta mbushim tregun vendor, e më pas të eksportojmë. Vendet në regjion i marrin paratë tona (nga importi) dhe ne ua zhvillojmë ekonominë atyre”, ka thënë Konushevci. 
Sali Hoda nga Doganat e Kosovës, ka shpjeguar çështjet që kanë të bëjnë me doganat dhe importin apo edhe eksportin e mallrave. Sa i përket moszbatimit të CEFTA-s nga ana e disa vendeve në regjion, ai ka thënë se ky është problem politik. Gjatë këtij debate u tha se duhet të stimulohet prodhimi dhe të favorizohet eksporti. Kjo me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Jeton Mahmutaj ka thënë se produktet duhet të jenë cilësore dhe të sigurta. Për këtë duhet të plotësohen standardet dhe të shikohet konformiteti i produkteve se a janë të sigurta.


Berat Mustafa, nga Fabrika e lëngjeve “Fluidi” ka thënë se prodhuesit vendorë po dëmtohen nga akciza e pijeve. Ibrahim Rexhepi, publicist dhe analist i ekonomisë, ka thënë se bizneset dhe produktet vendore duhet të mbështeten, kurse sa i përket shkeljes së CEFTA-s nga dy vendet në rajon, nuk më habit aq shumë, sepse dihet qëndrimi i tyre.


Agim Shahini ka thënë në fund të konferencës se duhet të bëhet zbatimi i ligjeve dhe të ketë politika të qëlluara fiskale, sepse me këtë do të kemi një biznes të zhvilluar dhe një ekonomi më të mirë. Ai ka porositur konsumatorët që të konsumojnë prodhimet vendore.