Gazetari Alban Dudushi u jep këshilla për gazetari studentëve të UBT-së

Gazetari Alban Dudushi u jep këshilla për gazetari studentëve të UBT-së

 

Gazetari dhe moderatori i njohur i televizionit, “Top Channel”, Alban Dudushi, ka qëndruar në UBT, me ç’rast ka mbajtur një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim të këtij institucioni.

 

Dudushi, i cili me profesion është edhe aktor, para studentëve ka treguar se si e ka filluar rrugëtimin në gazetari dhe pozitat nëpër të cilat ka kaluar gjatë tërë viteve në këtë profesion, teksa përmendi edhe problemet dhe sfidat që, sipas tij, i shqetësojnë studentët dhe gazetarët e rinj. 


Ai gjithashtu ka folur edhe për emisionin e tij, “Top Show”, të cilin e moderon dhe në të cilin për çdo javë trajton tema të ndryshme me mysafirë nga të gjitha shtresat shoqërore.


Studentët kishin mundësi t`i bënin pyetje Dudushit për ato që u interesonin, teksa në fund, të gjithë së bashku realizuan një aktivitet ku secili student kishte nga një fletë në dorë dhe me sy mbyllur do të vepronte ashtu siç i thuhej nga Dudushi. Në fund, tek secili student kishte forma të ndryshme të letrave, e që e tërë kjo lojë që gazetari nga Shqipëria e bëri me studentët, kishte për qëllim që të jepte një mesazh në vete.


“Njësoj si me këto letra, edhe në jetën e përditshme, edhe nëpër ngjarje të ndryshme, njerëzit, dhe në veçanti gazetarët, e dëgjojnë informatën e njëjtë, por secili prej tyre e kupton në mënyra të ndryshme, e qëllimi ynë duhet të jetë që gjithmonë të nxjerrim informacione të sakta dhe jo një realitet të shtrembëruar”, sqaroi Dudushi, teksa i përgëzoi studentët për vendimin e duhur që e kanë marrë për të studiuar dhe ushtruar këtë profesion.

Lajme