Studenti Syla, i impresionuar me praktikën njëmujore në kompaninë “Bechtel Enka”

Studenti Syla, i impresionuar me praktikën njëmujore në kompaninë “Bechtel Enka”

Studenti i vitit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Agron Syla është njëri ndër studentët e UBT-së, i cili e ka përfunduar me sukses të lartë punën praktike në kompaninë “Bechtel Enka”, prej nga ka dalë me njohuri të shumta, të fituara gjatë përcjelljes së punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

 

Syla tha se për të kjo praktikë njëmujore ka qenë përvojë shumë e mirë profesionale, duke qenë se, sipas tij, projekti i autostradës është projekti me i madh kapital qeveritar.
“Të jesh pjesë e këtij projekti është një mundësi jashtëzakonisht e mirë sepse projektet e tilla nuk ndodhin shpesh, e sidomos në një territor relativisht të vogël që e ka Kosova për ndërtimin e autostradave”, theksoi ai, teksa vlerësoi se nga kjo praktikë të gjithë studentët kanë marrë njohuri të gjithanshme profesionale.
“Puna praktike përveç se do të na shërbejë në ngritjen e aftësive profesionale dhe në ndërlidhjen e pjesës teorike dhe asaj praktike, në të njëjtën kohe, në të ardhmen do të ketë një rol të veçantë në konceptimin, planifikimin dhe projektimin e rrugëve”.


Falë bashkëpunimit të mirë të UBT-së me kompaninë “Bechtel Enka”, dy grupe studentësh të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, kanë përfunduar punën praktike njëmujore, gjatë së cilës kanë ndihmuar në realizimin e projekteve dhe finalizimin e punëve të ndryshme në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Vlen të theksohet se grupi i dytë, i përbërë nga shtatë studentë, ka filluar praktikën para pak ditësh dhe do të zgjasë gjatë tërë muajit shtator.

Lajme