Misioni
Misioni i programit Inxhinieri e Energjise BSc është t’u ofroj studentëve një arsimim gjithëpërfshirës që kombinon themele të forta teorike me kompetenca praktike inxhinierike. Programi i pajis të diplomuarit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të projektuar, analizuar, operuar dhe optimizuar sistemet moderne të energjisë, duke promovuar qëndrueshmërinë, efikasitetin e energjisë, përgjegjësinë mjedisore dhe inovacionin teknologjik. Përmes një qasje ndërdisiplinore që integron inxhinierinë elektrike, fizikën, matematikën, shkencat mjedisore dhe teknologjitë dixhitale, studentët zhvillojnë të menduarit analitik, aftësitë e zgjidhjes së problemeve, punën në grup, aftësitë e komunikimit dhe etikën profesionale të nevojshme për karriera të suksesshme në sektorin e energjisë.
Programi Inxhinieri e Energjise BSc është hartuar strategjikisht për të përgatitur studentët me ekspertizën e nevojshme për të lundruar në kompleksitetin e projektimit, promovimit dhe zbatimit të zgjidhjeve tradicionale dhe të energjisë së rinovueshme. Ai gjithashtu i përgatit ata të përshtaten me ndryshimet dinamike në industri, duke marrë parasysh faktorët specifikë për Kosovën, Rajonin dhe më gjerë.
Misioni dhe objektivat e programit Inxhinieri e Energjise BSc janë plotësisht në përputhje me Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2022–2031, e cila i jep përparësi sigurisë energjetike, dekarbonizimit, zhvillimit të energjisë së rinovueshme, efikasitetit të energjisë, dixhitalizimit dhe përafrimit me politikat energjetike të Bashkimit Evropian. Strategjia promovon investimet në energjinë diellore, të erës, të biomasës, të energjisë gjeotermale, sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri dhe modernizimin e kapaciteteve ekzistuese të gjenerimit termik, duke krijuar mundësi të konsiderueshme punësimi për të diplomuarit e ardhshëm.
Objektivat
Objektivat e programit Inxhinieri e Energjise BSc përfshijnë:
- Zhvillimin e një programi studimi unik me qasje ndërdisiplinore dhe multidisiplinare në fushën e inxhinierisë së energjisë
- Zhvillimin e stafit akademik me kohë të plotë të cilësisë më të lartë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor
- Zhvillimin e kapaciteteve kërkimore
- Avancimin e sistemit të sigurimit të cilësisë
- Avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar
- Arritjen e përsosmërisë akademike
- Avancimin e bashkëpunimit me sektorin privat të energjisë dhe komunitetin
- Zhvillimin e degës së konsultimit dhe kërkimit kontraktual të Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë
- Forcimin e funksionalitetit dhe proceseve të rrjedhës së informacionit
- Nxitjen e punësimit të studentëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të karrierës
Rezultatet e Synuara të Mësimit
Pas përfundimit me sukses të programit, studenti do të jetë në gjendje të ketë:
Njohuri
- Të demonstroj një kuptim të gjithanshëm të parimeve themelore të Matematikës, Fizikës, Inxhinierisë Elektrike I dhe II, si dhe të Inxhinierisë së Energjisë, të nevojshme për zgjidhjen e problemeve inxhinierike.
- Të zbatoj parimet e termodinamikës dhe transferimit të nxehtësisë për të analizuar dhe përmirësuar performancën e sistemeve termike dhe të sistemeve të konvertimit të energjisë.
- Të analizoj dhe vlerësoj teknologjitë konvencionale dhe të ripërtëritshme të konvertimit të energjisë, sistemet e ruajtjes së energjisë, si dhe performancën e tyre teknike, ekonomike dhe operative.
- Të shpjegoj dhe analizoj prodhimin, transmetimin, shpërndarjen dhe shfrytëzimin e energjisë elektrike, duke përfshirë funksionimin e sistemeve moderne elektroenergjetike.
- Të analizoj parimet e funksionimit, karakteristikat dhe zbatimet e makinave elektrike, si dhe rolin e tyre në sistemet moderne energjetike.
- Të vlerësoj aspektet ekonomike, rregullative dhe të politikave që lidhen me prodhimin e energjisë, tregjet energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë.
Aftësi
- Të zbatoj parimet e qarqeve elektrike, instrumenteve matëse dhe sistemeve të kontrollit në analizën, projektimin dhe operimin e aplikimeve në inxhinierinë e energjisë.
- Të kryej dhe interpretojë matje inxhinierike, eksperimente laboratorike dhe teste teknike, si dhe të vlerësoj saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve të përfituara.
- Të përzgjedh dhe vlerësoj materialet inxhinierike të përdorura në sistemet energjetike, bazuar në vetitë e tyre fizike, mekanike, elektrike dhe mjedisore.
- Të zbatoj parimet e teknologjive të Rrjetit të Mençur (Smart Grid), digjitalizimit, automatizimit dhe burimeve të shpërndara të energjisë për të përmirësuar efikasitetin, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve energjetike.
- Të identifikoj dhe zbatoj masa të përshtatshme për efikasitetin e energjisë dhe zgjidhje inxhinierike që optimizojnë përdorimin e energjisë në aplikimet industriale, komerciale dhe rezidenciale.
- Të vlerësoj ndikimet mjedisore të projekteve energjetike dhe të propozoj masa zbutëse teknikisht të realizueshme dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet dhe rregulloret përkatëse mjedisore.
Kompetencat
- Të zbatoj parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit në planifikimin, projektimin dhe operimin e projekteve të inxhinierisë së energjisë.
- Të zgjidh probleme komplekse inxhinierike duke zbatuar metoda analitike, mjete kompjuterike, programe për simulim, inovacion dhe gjykim inxhinierik.
- Të planifikoj, realizoj dhe komunikoj në mënyrë të pavarur një projekt inxhinierik ose studim të kërkimit të aplikuar gjatë praktikës profesionale ose Praktikes/Projektit me Industrine, duke integruar njohuritë teorike me përvojën praktike inxhinierike.
- Të demonstroj kompetenca efektive në menaxhimin e projekteve, punën në ekip, komunikim, përgjegjësi etike dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, të nevojshme për praktikën profesionale në sektorin e inxhinierisë së energjisë.