UBT promovon dy botime të rëndësishme shkencore në fushën e mekanikës dhe inxhinierisë së ndërtimit të autorit, Prof. Dr. Naser Morina

29/04/2025

Në UBT u mbajt promovimi për dy botime të rëndësishme shkencore në fushën e inxhinierisë së ndërtimit dhe infrastrukturës: “MEKANIKA – 1 (Statika)” dhe “MEKANIKA – 2 (Kinematika dhe Dinamika)”, autor i të cilave është Prof. Dr. Naser Morina, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës.

Këto dy vepra përfaqësojnë një kontribut të vyer akademik dhe praktik në fushën e mekanikës, të ndërtuara mbi një përvojë shumëvjeçare shkencore dhe pedagogjike, duke u shndërruar në literaturë të domosdoshme për studentët universitarë e pasuniversitarë, si dhe për profesionistët e fushës.

Në këtë aktivitet, morën pjesë personalitete të rëndësishme nga bota akademike dhe profesionale, ndër ta edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili vlerësoi lart angazhimin e profesor Morinës, duke theksuar se ky promovim është një tjetër dëshmi e përkushtimit të stafit akademik të UBT-së për avancimin e shkencës dhe dijes në Kosovë dhe më gjerë.

Ky është një moment i rëndësishëm për institucionin tonë, për studentët dhe për gjithë komunitetin akademik që kërkon dije cilësore. Vepra të tilla i japin hov zhvillimit profesional dhe krijojnë një bazë të fortë për ndërtimin e kompetencave të inxhinierëve të rinj”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në fjalën e tij, autori i librave, Prof. Dr. Naser Morina, ndau me të pranishmit rrugëtimin e tij akademik në ndërtimin e këtyre dy veprave, të cilat, sipas tij, kanë për qëllim të përmbushin boshllëkun që ekzistonte në literaturën teknike në gjuhën shqipe, duke ofruar një qasje të qartë dhe të strukturuar mbi temat më sfiduese të mekanikës.

Në diskutim mori pjesë edhe Prof. Dr. Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, i cili theksoi rëndësinë e pasurimit të burimeve didaktike në gjuhën shqipe dhe rolin që ka kjo literaturë në përgatitjen e inxhinierëve të aftë për sfidat e tregut të punës.

Gjatë promovimit, studentë, profesorë dhe ekspertë të fushës diskutuan mbi përmbajtjen e librave, rëndësinë e tyre për kurset universitare dhe ndikimin që kanë në avancimin e metodologjisë së mësimdhënies në inxhinieri.

“MEKANIKA – 1 (Statika)” trajton parimet bazë të trupave në ekuilibër, analizën e forcave konkurrente, strukturat statikisht të përcaktuara dhe analiza të trarëve.

“MEKANIKA – 2 (Kinematika dhe Dinamika)” përfshin konceptet e lëvizjes së pikave materiale dhe trupave të ngurtë, duke ofruar analiza dinamike dhe zgjidhje përmes ekuacioneve diferenciale.

Me metodologji bashkëkohore dhe ilustrime të shumta praktike, këto tekste janë projektuar për të lehtësuar procesin mësimor dhe për të forcuar aftësitë analitike dhe teknike të studentëve.