UBT organizoi Konferencën Akademike “Arti dhe Dizajni ndërmjet Praktikës dhe Hulumtimit: Qasje Ndërdisiplinore në Kontekste Bashkëkohore”

11/06/2026

Në kuadër të aktiviteteve Ditët e Artit dhe Dizajnit, të organizuara me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit organizoi Konferencën Akademike me temë “Arti dhe Dizajni ndërmjet Praktikës dhe Hulumtimit – Qasje Ndërdisiplinore në Kontekste Bashkëkohore”.

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Dekanes së Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Ariana Gjoni, e cila theksoi rëndësinë e ndërthurjes së praktikës artistike me hulumtimin, si dhe rolin e artit dhe dizajnit në krijimin e njohurive të reja dhe adresimin e sfidave bashkëkohore përmes qasjeve ndërdisiplinore.

Aktiviteti mblodhi profesorë, artistë, studiues, profesionistë dhe studentë nga fusha të ndryshme të artit, dizajnit, arkitekturës, muzikës dhe teatrit, duke krijuar një platformë për shkëmbim idesh, prezantim hulumtimesh dhe diskutim mbi zhvillimet bashkëkohore në këto fusha.

Gjatë konferencës u prezantuan tema që trajtuan aspekte të ndryshme të artit dhe dizajnit bashkëkohor. Dea Luma prezantoi temën “Neuroarkitektura: Integrimi i Neuroshkencës në Arkitekturë dhe Dizajn”, ndërsa Labinot Kelmendi solli reflektime filozofike përmes prezantimit “Kjo nuk është dizajn – kjo është Dasein”.

Prof. Dr. Ariana Gjoni prezantoi hulumtimin e saj me titull “Qëndrueshmëria përmes Dizajnit: Ndërthurja e Trashëgimisë Kulturore, Qëndrueshmërisë dhe Praktikës Bashkëkohore të Modës”, duke trajtuar potencialin e trashëgimisë kulturore si burim për praktika të qëndrueshme dhe inovative në modën bashkëkohore.

Pjesë e konferencës ishin edhe artistët e njohur Helidon Gjergji dhe Sislej Xhafa, të cilët prezantuan temat “Tango Down” dhe “Nuk po kuptoj”, duke ndarë me pjesëmarrësit përvojat dhe perspektivat e tyre mbi praktikën artistike bashkëkohore.

Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Marigona Bekteshi me temën “Imagjinata dhe Trajnimi i Aktorit”, Korab Shaqiri me prezantimin “Lija e Qikave: Analizë e veprës korale SATB”, si dhe Liburn Jupolli, i cili prezantoi projektin inovativ “Octo – Instrumenti i Ri Inovativ”.

Konferenca dëshmoi rëndësinë e dialogut ndërmjet praktikës dhe hulumtimit në art dhe dizajn, duke ofruar një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin e ideve të reja dhe forcimin e bashkëpunimit ndërdisiplinor.