UBT siguron financim nga Regional Challenge Fund për Inteligjencë Artificiale, Data Science, Elektronikë dhe Cloud
26/10/2026UBT vazhdon të forcojë pozicionin e tij në arsimin profesional dhe teknologjitë e avancuara, duke siguruar një tjetër financim nga Regional Challenge Fund (RCF), në mbështetje të zhvillimit të kompetencave digjitale dhe përgatitjes së profesionistëve për tregun e punës.
Në ceremoninë e organizuar më 26 tetor 2026 nga Regional Challenge Fund, UBT pranoi certifikatën e financimit për një projekt që synon avancimin e kualifikimeve në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Elektronikë, Inteligjencë Artificiale (AI), Shkencë të të Dhënave (Data Science) dhe teknologji Cloud. Certifikatën, në emër të UBT-së, e pranoi Prof. Dr. Besnik Skenderi.
Projekti synon modernizimin e kapaciteteve arsimore dhe teknologjike, zhvillimin e aftësive praktike të nxënësve dhe studentëve, si dhe përafrimin e kualifikimeve profesionale me kërkesat e industrisë dhe tregut të punës.
Përmes këtij investimi, UBT synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e kompetencave digjitale, rritjen e punësueshmërisë së të rinjve dhe përgatitjen e profesionistëve për sektorët teknologjikë me kërkesë në rritje.
Prof. Dr. Edmond Hajrizi: UBT po konkurron me standardet botërore në Inteligjencë Artificiale dhe Data Science
Rektori dhe themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky financim konfirmon rolin udhëheqës të institucionit në zhvillimin e arsimit dhe avancimin e teknologjive të së ardhmes.
“Ky financim është një tjetër dëshmi se UBT është lider në Inteligjencë Artificiale, Data Science dhe inovacion. Investimet tona të vazhdueshme në laboratorë, teknologji dhe programe bashkëkohore na kanë mundësuar të arrijmë standarde të nivelit botëror.
UBT nuk është vetëm një institucion që përcjell zhvillimet teknologjike, por një institucion që kontribuon aktivisht në krijimin e tyre”, u shpreh Prof. Dr. Edmond Hajrizi.
Prof. Dr. Besnik Skenderi: Përzgjedhja e përsëritur nga RCF dëshmon profesionalizmin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të UBT-së
Prof. Dr. Besnik Skenderi vlerësoi se ky financim përfaqëson një tjetër njohje të kapaciteteve profesionale dhe institucionale të UBT-së.
“Fakti që UBT përzgjidhet përsëri për financim nga Regional Challenge Fund nuk është rastësi. Është rezultat i profesionalizmit, përvojës dhe kapaciteteve tona për të zhvilluar kualifikime që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e ekonomisë.
Pas projektit për zhvillimin e aplikacioneve me integrimin e Inteligjencës Artificiale, ky financim i ri na mundëson të zgjerojmë investimet në teknologjitë e së ardhmes. Për ne, suksesi nuk matet vetëm me financimin, por me kompetencat që fitojnë të rinjtë dhe mundësitë reale të punësimit që krijohen”, deklaroi Prof. Dr. Besnik Skenderi.
Ai falënderoi Regional Challenge Fund, Ambasadën Gjermane dhe Ambasadën Zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.
Ky projekt përfaqëson një hap tjetër në strategjinë e UBT-së për integrimin e arsimit, teknologjisë dhe industrisë, duke vendosur në qendër zhvillimin e kompetencave që kërkohen nga ekonomia moderne.
Përmes këtij financimi, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin ndaj arsimit cilësor, teknologjive të avancuara dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në rritjen e punësueshmërisë, konkurrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.


