UBT nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

31/05/2015

Shkodër, 29 maj, – Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi vizitoi Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Pas pritjes nga drejtues të këtij universiteti, u nënshkrua marrëveshja midis UBT-së dhe Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, e cila përfshin bashkëpunimin në shumë fusha, përfshirë mobilitetin e studentëve dhe të stafit dhe punëtoritë e përbashkëta në fusha të ndryshme të hulumtimit shkencor.

 

Dr.Hajrizi, i cili është ekspert në fushën e sigurimit të cilësisë dhe akreditimit të universiteteve, gjatë qëndrimit në Shkodër ka drejtuar punëtorinë “Standardet institucionale dhe raportet e vlerësimit të brendshëm të cilësisë të programeve në dy cikle të studimeve në universitete”, në të cilën morën pjesë një numër i madh i stafit menaxhues të Universitetit, dekanë, profesorë dhe studentë të Universitetit të Shkodrës.

 

Rektori i UBT-së, i licencuar nga institucione ndërkombëtare edhe për një varg fushash të trajnimit, paraqiti në punëtori përvojat e vlerësimit të cilësisë në UBT, përgjithësisht në Republikën e Kosovës, por edhe përvoja nga universitete e institucione ndërkombëtare të arsimit të lartë.

 

Pjesëmarrësit e punëtorisë përfituan nga përvoja e rektorit Hajrizi në këtë fushë dhe shtruan për diskutim një varg çështjesh me interes nga fusha e vlerësimit të cilësisë së programeve akademike.

Drejtuesit e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u shprehën shumë të kënaqur me përvojat e fituara, si dhe e vlerësuan si shumë të rëndësishme marrëveshjen me UBT-në, një institucion prijatar në shumë fusha të arsimit të lartë dhe të hulumtimit shkencor, jo vetëm në Kosovë e në rajon, por edhe më gjerë.

 

UBT dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u morën vesh që të organizojnë këtë vit një konferencë të përbashkët në qytetin e Shkodrës.

Gjatë qëndrimit në Shkodër, rektori Hajrizi dha intervista për televizionet “Top Channel” dhe “Star Plus”.