UBT kontribuon në vizionin e Kosovës 2050 për qytete të mençura, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm

15/10/2026

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të institucionit, po merr pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”, që po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e arkitektëve, urbanistëve dhe ekspertëve nga Kosova dhe bota.

I organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, simpoziumi përbën një platformë të rëndësishme për diskutimin e së ardhmes së planifikimit hapësinor në Kosovë, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e qyteteve e vendbanimeve më funksionale, më të gjelbra dhe më të qëndrueshme.

Me mbi 20 vjet përvojë në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin, UBT ka ndërtuar kapacitete të rëndësishme akademike dhe profesionale në arkitekturë, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke e vënë dijen dhe ekspertizën në shërbim të zhvillimit të Kosovës. Në këtë kuadër, UBT ka themeluar Institutin për Planifikim, pjesë përbërëse të institucionit, i cili angazhohet në hulumtim shkencor, inovacion dhe zhvillim në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban, me synimin që njohuritë akademike dhe zgjidhjet inovative të shndërrohen në kontribut konkret për qytetet, komunat dhe institucionet e vendit.

Një rol të veçantë në këtë drejtim e ka Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, një nga qendrat kryesore të arsimit dhe ekspertizës profesionale në këtë fushë në Kosovë. Përmes programeve akademike, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, UBT kontribuon në përgatitjen e profesionistëve dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore të planifikimit urban. Programi i tij në planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, i pari i këtij lloji në Kosovë sipas të dhënave institucionale, përfaqëson një nga përpjekjet e rëndësishme për avancimin e kësaj fushe në vend.

Në nivel ndërkombëtar, UBT është anëtare institucionale e Association of European Schools of Planning (AESOP), International Society of City and Regional Planners (ISOCARP) dhe European Association for Architectural Education (EAAE), duke marrë pjesë aktive në rrjetet akademike dhe profesionale të këtyre organizatave. Përmes këtij angazhimi, si dhe prezantimit të modelit dhe përvojave të tij në konferenca, simpoziume dhe forume ndërkombëtare, UBT kontribuon në shkëmbimin e dijes, zhvillimin e ideve inovative dhe ndërlidhjen e ekspertizës vendore me praktikat ndërkombëtare në arkitekturë dhe planifikim urban.

Kjo ekspertizë plotësohet nga fushat e mjedisit dhe infrastrukturës së qëndrueshme, ndërtimit, bujqësisë, energjisë dhe teknologjisë, duke krijuar një bazë të gjerë ndërdisiplinore për përgatitjen e kuadrove të së ardhmes, zhvillimin e hulumtimeve dhe hartimin e zgjidhjeve inovative për banimin, infrastrukturën dhe mjediset urbane. Përmes bashkëpunimit me institucione publike, komuna, universitete dhe partnerë profesionalë në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar, UBT synon të mbështesë një qasje më sistemore, të integruar dhe të bazuar në ekspertizë për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit. Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.

Në përputhje me vizionin strategjik UBT 5S, institucioni vazhdon të promovojë një model zhvillimi ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia lidhen me nevojat reale të shoqërisë.

Pjesëmarrja në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050” riafirmon përkushtimin e UBT-së për të qenë partner aktiv i institucioneve të Kosovës, duke kontribuar me ekspertizë profesionale, hulumtime dhe ide inovative në planifikimin e së ardhmes së vendit.

Për UBT-në, qytetet e së ardhmes duhet të ndërtohen mbi parimet e planifikimit të mirëfilltë, qëndrueshmërisë mjedisore, zgjerimit të hapësirave të gjelbra, infrastrukturës cilësore dhe inovacionit, me synimin që Kosova të zhvillojë vendbanime më të mençura, më gjithëpërfshirëse dhe më të mira për të jetuar, sot, dhe për gjeneratat e ardhshme.