Kërkesa për inxhinierë të mekanikës është e lidhur ngushtë me zhvillimin e sektorëve të prodhimtarisë, energjisë, infrastrukturës dhe teknologjisë. Indikatorët statistikorë, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar, dëshmojnë rëndësinë në rritje të profesioneve inxhinierike dhe nevojën në rritje për specialistë inxhinier të kualifikuar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sektori industrial përbën një komponent të rëndësishëm të strukturës ekonomike të Kosovës. Industria përpunuese kontribuon me rreth 12–15% në Produktin Brendshëm Bruto (PBB) të Kosovës dhe vazhdon të zgjerohet përmes investimeve në përpunimin e metaleve, prodhimin e makinerive dhe industritë e lidhura me ndërtimtarinë (Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2023). Të dhëna të hollësishme statistikore mund të qasen përmes portalit zyrtar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Ky sektor punëson një numër të konsiderueshëm punëtorësh dhe kërkon inxhinierë të aftë për të projektuar sisteme mekanike, për të optimizuar proceset e prodhimit dhe për të zbatuar teknologji bashkëkohore të prodhimtarisë. Inxhinierët kontribuojnë në rritjen e produktivitetit, përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe mbështetjen e zhvillimit teknologjik brenda kompanive industriale.
Për më tepër, sektori i ndërtimtarisë përbën pothuajse 10% të punësimit të përgjithshëm në Kosovë, duke krijuar kërkesë shtesë për inxhinierë të përfshirë në sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe klimatizimit (HVAC), instalimet mekanike dhe zhvillimin e infrastrukturës industriale. Këto statistika të tregut të punës janë të qasshme përmes raporteve të tregut të punës nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Fokusimi në rritje ndaj projekteve të energjisë së ripërtëritshme dhe përmirësimit të eficiencës së energjisë në Kosovë po ashtu krijon kërkesë në rritje për inxhinierë të specializuar në termodinamikë, sisteme energjetike dhe teknologji HVAC.
Kërkesa për profesionistë të inxhinierisë shtrihet përtej tregut kombëtar të punës. Në mbarë Evropën, inxhinierët mbeten ndër profesionistët më të kërkuar për shkak të transformimit industrial, digjitalizimit dhe kalimit drejt sistemeve të qëndrueshme energjetike.
Sipas Qendrës Evropiane për Zhvillimin e Formimit Profesional (CEDEFOP), profesionistët e inxhinierisë pritet të mbeten ndër profesionet me të kërkuar në tregun evropian të punës gjatë dekadës së ardhshme, veçanërisht në fushat që lidhen me teknologjitë e prodhimtarisë, sistemet energjetike dhe automatizimin industrial.
Inxhinierët mekanikë luajnë një rol kyç në mbështetjen e modernizimit të sistemeve të prodhimit industrial, përmirësimin e eficiencës energjetike dhe zbatimin e teknologjive të avancuara të prodhimit në të gjithë industritë evropiane.
Analizat globale të tregut të punës gjithashtu theksoj rëndësinë në rritje të profesioneve inxhinierike. Sipas Raportit mbi të Ardhmen e Vendeve të Punës 2025 nga Formi Ekonomik Botëror (World Economic Forum Future of Jobs Report 2025), transformimi teknologjik, automatizimi dhe digjitalizimi i industrive pritet të rrisin dukshëm kërkesën për profesionistë me shkathtësi inxhinierike dhe teknike. Raporti identifikon profesionet e lidhura me inxhinierinë si ndër fushat me rritjen më të shpejtë profesionale, veçanërisht në sektorë të tillë si prodhimtaria e avancuar, sistemet e energjisë së ripërtëritshme, teknologjitë e automatizimit dhe sistemet e mençura industriale. Për më tepër, projeksionet globale të tregut të punës tregojnë se kërkesa për profesionistë të inxhinierisë pritet të rritet me rreth 7–10% gjatë dekadës së ardhshme, duke pasqyruar rëndësinë në rritje të inovacionit teknologjik dhe modernizimit industrial në zhvillimin ekonomik.
Këto trende kombëtare dhe ndërkombëtare të tregut të punës dëshmojnë qartë rëndësinë e fuqizimit të arsimit inxhinierik dhe përgatitjes së të diplomuarve të aftë për t’u përgjigjur sfidave teknologjike dhe industriale.
Programi BSc në Inxhinieri Mekanike në UBT u përgjigjet këtyre nevojave të tregut të punës duke u ofruar studentëve kompetenca të forta në disiplinat bazë të inxhinierisë mekanike, si: dizajn mekanikë, termodinamika, mekanika e fluideve, teknologjitë e prodhimit dhe sistemet e prodhimtarisë. Struktura kurrikulare e programit pasqyron këto kompetenca dhe përfshin lëndë të tilla si: Elementet e Makinave, Termodinamika, Inxhinieria e Prodhimit dhe Teknologjitë e Prodhimit.