Studentët e UBT-së dhuruan veshmbathje për personat në nevojë në Prizren

26/12/2018


Shumë pallto, xhupa dhe veshmbathje të tjera janë mbledhur me iniciativën e studentëve të UBT-së, për të ngrohur trupin e atyre që kanë nevojë në këtë stinë të ftohtë.

 

Këtë herë, aktiviteti u shtri në qytetin e Prizrenit, teksa vetëm brenda pak orësh, të gjitha veshmbathjet e shpërndara nëpër vende të ndryshme në Prizren, janë marrë nga njerëzit që kanë pasur nevojë për to.

 

Drejtori i kampusit të Prizrenit, Vehebi Sofiu, i cili i shoqëroi studentët në këtë ngjarje, tha se kjo nismë është tejet humane dhe është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët e kësaj komune. “Iniciativa e studentëve të UBT-së është pritur dhe është vlerësuar shumë mirë nga të gjithë qytetarët, e sidomos personat në nevojë, të cilët janë ndjerë shumë falënderues dhe të lumtur nga ky akt human i studentëve tanë”, tregoi ai.

 

Studentët e UBT-së tash e disa vite janë duke organizuar aktivitete të shumta bamirëse, nga të cilat po përfitojnë kategoritë më të lëna pas dore në shoqërinë tonë.