BETA

Ish-studentja e UBT-së, tash pjesë e Anhalt University of Applied Sciences, në Gjermani

11/09/2018

Ish-studentja e dalluar e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Stina Shabani, tashmë është një nga studentët e shumtë ndërkombëtarë të Anhalt University of Applied Sciences, në Dessau të Gjermanisë, me punën e të cilit është njoftuar për herë të parë falë një procesi të shkëmbimit të studentëve që programi Erasmus+ ua mundësoi studentëve të UBT-së, me ç’rast ajo dhe tre studentë të tjerë e përfunduan një semestër dimëror atje.

 

Ky semestër e shtyri Stinën që të aplikojë për vijim të studimeve master në Anhalt University of Applied Sciences, ku edhe i kaloi me sukses të gjitha procedurat e kërkuara, pasi UBT  e ka përgatitur maksimalisht dhe i ka ofruar asaj mundësi për studime jashtë vendit.

“Eksperienca ime e parë në këtë universitet ishte falë UBT-së. Gjatë tri viteve jam përgatitur profesionalisht në një nivel shumë të mirë, që  më ndihmoi të pranohem për vazhdim të studimeve në Universitetin Teknik të Vjenës, si dhe në Anhalt University of Applied Sciences, mirëpo në fund zgjodha këtë të dytin”, tregoi Stina.

 

Ajo shpreson se ky universitet do të arrijë t’i plotësojë pritshmëritë e saj mbi nivelin e studimeve, nisur nga fakti se ky institucion ka një metodë unike të studimit të fushës së arkitekturës.

“Pritshmëritë për vazhdimin e studimeve në Gjermani janë të mëdha, pasi Anhalt-i si universitet i kushton shume rëndësi përfshirjes së teknologjisë në arkitekturë, andaj edhe njohja  me lëndët si: Arti i Robotikës dhe Dizajni Parametrik, është domosdoshmëri dhe veçori e këtij universiteti. Këto njohur të cilat janë shumë të nevojshme për arkitektët të rinj, por fatkeqësisht nuk ofrohen në të gjitha universitetet, prandaj edhe konsideroj veten me fat”, u shpreh Stina.

 

Ajo dëshiron të shërbejë si shembull i studentes që i është shpërblyer puna dhe mundi, pasi ajo thotë se UBT i shpërblen studentët e dalluar dhe u ofron studime të mëdha për studime jashtë vendit, gjithmonë atëherë kur studentët shprehin interesim dhe punojnë me veten e tyre.