Qeverisja dhe cilësia institucionale në fokus të EOQ Congress 2026 në UBT
23/10/2026Përfaqësues të institucioneve publike, diplomacisë, mediave dhe akademisë diskutuan në UBT për qeverisjen e mirë, besimin publik dhe standardet e cilësisë në shërbimet publike.
Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi, 67th European Organization for Quality Congress 2026, në kampusin inovativ të UBT-së u mbajt sesioni “Government, Public Services & Institutional Quality”, ku u trajtuan çështje me rëndësi për funksionimin e institucioneve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e besimit të qytetarëve.
Sesioni u moderua nga Prof. Dr. Ylber Kryeziu dhe mblodhi folës nga institucionet e Kosovës, Shqipërisë, India dhe bota akademike evropiane, të cilët prezantuan perspektiva të ndryshme mbi rolin e cilësisë në qeverisje, diplomaci, media dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, prezantoi temën “Quality in Local Governance: Strengthening Municipal Services, Inclusion and Institutional Coordination”, duke vënë në fokus rëndësinë e shërbimeve komunale, përfshirjes dhe koordinimit institucional në qeverisjen lokale.
Ndërkaq, ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, trajtoi temën “Quality in Public Diplomacy and International Cooperation: Strengthening Institutional Trust and Global Partnerships”, me fokus cilësinë në diplomacinë publike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar si elemente të rëndësishme për forcimin e besimit institucional dhe partneriteteve globale.
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri, prezantoi temën “From Good Governance to Institutional Excellence: Quality, Trust and Resilience in Public Services”, duke trajtuar lidhjen ndërmjet qeverisjes së mirë, cilësisë institucionale dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve publike.
Nga perspektiva e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, Dr. Asif Iqbal, president i Indian Economic Trade Organisation (IETO) dhe India Africa Trade Council, prezantoi temën “Quality, Competitiveness and Institutional Trust”, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë, konkurrueshmërisë dhe besimit institucional.
Cilësia e informacionit dhe përgjegjësia e mediave në epokën digjitale ishin në qendër të dy prezantimeve të tjera. Drejtori ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës, Niman Racaj, trajtoi temën “Quality of Information: Media Ethics, AI and Public Trust”, ndërsa kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA), Armela Krasniqi, prezantoi temën “Media Quality, Accountability and Trust in the Digital Age”. Të dy temat sollën në vëmendje rëndësinë e etikës, llogaridhënies dhe besimit publik në një mjedis mediatik që po transformohet nga zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale.
Perspektiva evropiane u përfaqësua nga Prof. Dr. Nikos Panagiotou nga Aristotle University of Thessaloniki, i cili prezantoi temën “Quality, Public Value and Institutional Resilience: A European Perspective”, duke e vendosur cilësinë në raport me vlerën publike dhe qëndrueshmërinë institucionale.
Sesioni “Government, Public Services & Institutional Quality” ishte pjesë e programit të gjerë të EOQ Congress 2026, i cili në UBT bashkoi ekspertë dhe përfaqësues institucionesh për të shkëmbyer përvoja dhe perspektiva mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror.




