UBT STATS, burim i rëndësishëm i statistikave në Kosovë

28/02/2017

Statistikat janë burim i domosdoshëm informacioni për vendimmarrje , për këtë qëllim, në UBT funksionon Qendra e Kompetencës për Statistika, Analiza dhe Parashikim, e themeluar me qëllim të krijimit të bazës së të dhënave statistikore.

 

Duke treguar për arsyet e krijimit të qendre të tillë, koordinatori i UBT STATS, Mentor Geci tha se kjo qendër lindi si nevojë e pasjes së një baze të të dhënave, konsistent me praktikat statistikore ndërkombëtare, lehtësisht të konvertueshme për analiza kuantitative, ekonomike dhe për parashikime, por edhe me qëllim të krijimit të serive kohore.


 “Qëllimi i UBT STATS është të krijojë një bazë statistikore të të dhënave, për të ofruar informata statistikore të strukturuara dhe të krahasueshme në kohë, të cilat do të mund t’i referohen këtyre të të dhënave si burime të referencës, të organizuara në formë të qartë dhe lehtë të kuptueshme”, tha Geci, duke shtuar se, “në UBT STATS realizohet përpunimi i të dhënave statistikore, si nga burimet e institucioneve të tjera, po ashtu edhe nga burimet vetanake të UBT-së”.

 

Burim i informatave lidhur me UBT STATS, sipas tij, janë institucionet publike në Kosovë.


“Në kontekst sektorial, deri më tani janë përpunuar statistikat e llogarive kombëtare, statistikat e llogarive qeveritare, anketa e fuqisë punëtore, anketa strukturore e ndërmarrjeve, indeksi i çmimeve të konsumit, indeksi i çmimeve të importit, indeksi i çmimeve të prodhimit, statistikat e energjisë, hotelerisë, arsimit, si dhe statistikat e shëndetësisë”, tregoi Geci, i cili duke folur për punën e tanishme të kësaj qendre tha se, së fundmi është filluar edhe me përpunimin e statistikave në nivel individual, të institucioneve individuale.


“Tashmë është kryer sektori i telekomunikacionit që përfshin PKT-në, IPKO-n dhe Z-Mobile dhe jemi në fazën finale të validimit të statistikave të sektorit të sigurimeve që përfshin statistikat në nivel kompanive individuale”, tha ai, për të shtuar se “së shpejti do të finalizohet edhe do të publikohet sektori i bankave, i detajuar në nivel të çdo banke”.

 

Tutje, koordinatori Geci u shpreh se statistikat e prodhuara nga kjo qendër janë krijuar me ndihmën e studentëve të dalluar të UBT-së.

“UBT STATS është mundësi e shkëlqyeshme e kryerjes së praktikës (internship) për studentë, por marrë parasysh specifikat e punës në UBT STATS, kusht kyç i angazhimit të studentëve është që ata të jenë të dalluar në lëndët kuantitative”.

 

Përveç angazhimit në aspektin e kryerjes së praktikës, studentët e UBT-së kanë mundësi të përdorin statistikat e përpiluara nga UBT STATS në punimet e tyre hulumtuese.

 

Gjatë këtij viti UBT STATS synon që të zhvillojë module të reja, vazhdimin e publikimeve të rregullta, përfshirjen e hulumtimeve të bëra nga konferencat dhe studentët, lidhur me temat e caktuara, përditësimin periodik të moduleve ekzistuese, promovimin e shërbimeve të UBT STATS etj.