UBT përkrah stafin akademik për arritje profesionale

08/06/2020

Besnik Qehaja është njëri ndër akademikët e UBT-së, njëherësh studenti i parë kosovar që ka doktoruar në Universitetin shtetëror “Corvinus University” në Budapest, ku ka fituar gradën doktor i Sistemeve të Informacionit dhe Informatikë.

 

Tema e tij kërkimore ishte e fokusuar në telemjekësi, ku si rezultat i punës Qehaja ka ardhur deri tek krijimi i një sistemi të informacioni për monitorimin e pacientëve në kohë reale.

 

Duke folur për rrugëtimin e tij gjatë studimeve të doktoratës, Qehaja bëri të ditur se gjendja e shkaktuar nga pandemia Covid19 tashmë ka konfirmuar nevojën dhe rëndësinë e një sistemi të tillë inteligjentë, të cilin ai e ka dizajnuar në përpikëri duke u bazuar në gjetjet/kërkesat  nga  intervistat me doktorët, infermierët, pacientët, ekspertë e shkencave kompjuterike.

 

“Një falënderim i veçantë i dedikohet UBT-së, veçanërisht Rektorit Edmond Hajziri që në vazhdimësi ka mbështetur avancimin tim akademik, si në nivelin master ashtu edhe në këtë të doktoratës”, potencoi ai.

 

Para 19 vitesh, kur edhe u themelua UBT, Kosovës dhe institucioneve arsimore i mungonin në masë të madhe doktorantët që kishin përfunduar studimet jashtë vendit, por falë marrëveshjeve të shumta të UBT-së me institucione arsimore ndërkombëtare, ky numër është shumëfishuar, teksa secili prej tyre që ka kryer doktoratën falë UBT-së, është rikthyer në Kosovë për të ndarë përvojën e fituar dhe për të ngritur nivelin e arsimit në vendin tonë.