UBT ofron gjithë ekspertizën e saj për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan

16/07/2021

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, pas situatës së krijuar me helmimet e qytetarëve në komunën e Deçanit, nga ku është pritur nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Deçanit, Musa Berisha, të cilit i është dorëzuar një kontingjent me medikamente, me qëllim ndihmesën në trajtimin e pacientëve të prekur.

 

Rektori Hajrizi shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në çfarëdo mënyre Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, edhe duke ofruar në dispozicion stafin mjekësor dhe ekspertët e shkencave mjekësore të Poliklinikës së UBT-së, me qëllim menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate.

 

“Si institucion jemi të shqetësuar me gjendjen e krijuar këtu në Komunën e Deçanit, në të njëjtën kohë qytetarëve të prekur u urojmë shërim të shpejtë. Më e mira që mund të bëjmë si institucion është të ofrojmë ekspertizën e stafit mjekësor të Poliklinikës së UBT-së, për t’iu dalë në ndihmë mjekëve të kësaj qendre në çfarëdo forme që kanë nevojë ata”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Fillimisht, rektori Hajrizi ka kontaktuar drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, nga i cili është informuar për gjendjen faktike pas situatës së krijuar, kështu duke i identifikuar nevojat që kanë qytetarët që po trajtohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

 

UBT vazhdimisht iu ka dalë në ndihmë dhe është solidarizuar me raste të tilla si kjo, pasi që UBT vlerëson se kontributi për komunitetin përmes formave të ndryshme është mëse i nevojshëm.