UBT mbajti virtualisht ceremoninë e gradimit të studentëve

26/09/2020

Të emocionuar dhe krenarë që kurorëzuan suksesshëm arritjet gjatë studimeve, këtë vit rreth 1 mijë e 500 absolventë të UBT-së përjetuan një ditë tejet të veçantë, patën një përvojë unike dhe të papërsëritshme, pasi që virtualisht mbyllën ciklin e studimeve në profesionet e tyre.

 

Këtë herë lumturinë në këtë ceremoni ata e shprehën online, në ceremoninë e gradimit, që UBT e organizoi për ta në shenjë falënderimi.

 

Suksesi i ditës së sotme, sipas rektorit të UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, është rezultat i punës disavjeçare. Sipas tij, institucioni është përkushtuar që studentët të përgatiten dhe të bëhen profesionistë, e mbi gjitha të jenë imazhi dhe krenaria më e madhe e këtij vendi.

 

“Do të doja që të shpreh respektin tim dhe të shpreh besimin tek ju, sepse që nga sot ju jeni ambasadorë të UBT-së. Si institucion i klasit të lartë të arsimit në Kosovë që është UBT, u kemi ofruar dhe vazhdojmë të ofrojmë mbështetje të lartë për projekte kërkimore dhe hulumtime të gjithë studentëve. Sfidat e këtij viti nga pandemia nuk na kanë dhënë shenja që ne të ndalim mësimin, pasi që për ne si institucion është e rëndësishme të vazhdohet ëndrra juaj që keni filluar në rrugën akademike, andaj edhe mësimin e kemi kaluar në formë digjitale.”, është shprehur në fjalën përshëndetëse të tij, Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi.

 

Rektori Hajrizi, në fjalën e tij drejtuar studentëve, nga Kampusi Inovativ i UBT-së, në Lipjan, ka thënë se Kosova ka nevojë për njerëz kompetentë që kërkohen nga institucionet dhe kompanitë, e ne si UBT kemi ndërtuar personalitete të tilla, sepse ndërtimin e gjeneratave të fuqishme intelektualisht ia kemi borxh vendit dhe mijëra prindërve që ia besuan UBT-së shkollimin e fëmijëve të tyre.

 

Ish-studentët e UBT-së, Gëzim Selimi, Labinot Vuniqi, si dhe absolventja Erblina Ademi, kanë treguar për eksperiencat e tyre dhe sukseset që ata arritën gjatë dhe pas studimeve në UBT. Ata falënderuan rektorin prof. dr. Edmond Hajrizi, profesorët dhe të gjithë stafin e UBT-së, për përkushtimin, bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar.

 

Duke vlerësuar situatën me pandeminë Covid-19, studentët nuk ishin të pranishëm fizikisht, por virtualisht ata dhanë premtimin që do t’i shërbejnë shkencës, do të kontribuojnë me përgjegjësi në zgjidhjen e problemeve të shoqërisë dhe zhvillimit të ardhshëm prosperues.