UBT mbajti mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Dr. Belul Beqaj

26/09/2022

Studentë, familjarë, profesorë, kolegë e miq të shumtë u mblodhën sot në UBT, në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të veprës dhe kontributit të pashuar të profesorit dhe politologut, Dr. Belul Beqaj.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të profesorit Dr. Belul Beqaj, në emrin e stafit të UBT-së dhe në emrin e të gjithë studentëve, që patën rastin ta njohin profesorin e ndjerë, të mësojnë dhe të këshillohen nga mendimet e tij.

Profesori Belul Beqaj, ishte ndër të parët në UBT. Ai me korrektësinë, pedanterinë dhe afërsinë me studentët, bëri që puna e tij të jetë shumë profesionale, e drejtë dhe e veçantë. Studentët dhe mësimdhënësit e UBT-së do ta mbajnë mend gjatë këtë intelektual të angazhuar, sepse ai edukoi breza e breza, të cilët në të ardhmen do t’i shërbejnë vendit në bazë të mësimeve të tij”, u shpreh rektori Hajrizi.

Një jetëshkrim për profesorin Beqaj, e bëri kolegu i tij, dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, profesori Ferid Selimi, i cili njëherit shprehu ngushëllimet më të përzemërta familjarëve, kolegëve dhe studentëve.

Emocionues ishte edhe fjalimi i studentes Elona Belaj nga Fakulteti Shkenca Politike në UBT, në të cilin profesori Beqaj ishte mësimdhënës dhe për një kohë shërbeu në cilësinë e dekanit.

Në fjalën e saj në mbledhjen komemorative kushtuar profesorit Beqaj, studentja Belaj vlerësoi shumë afërsinë e tij me studentët, si dhe profesionalizmin dhe përkushtimin e madh ndaj avancimit dhe aftësimit profesional të studentëve.

Dr. Belul Beqaj lindi në Prizren më 1957, ku i kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, përkatësisht në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka doktoruar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit Publik të Maqedonisë. Është autor i dhjetëra punimeve publicistike – shkencore, si dhe pjesëmarrës në konferenca të shumta brenda dhe jashtë Kosovës.

Profesori dhe politologu Dr. Belul Beqaj nuk e ndali asnjëherë aktivitetin e tij prej mësimdhënësi, analisti e studiuesi. Ai botoi një mori shkrimesh e analizash, punime shkencore, si dhe librat: “Lidershipi”, “Kur do të pajtohen serbët dhe shqiptarët”, “Politika në Fokus”, si dhe “Autoritarizmi dhe poltronizmi si rrënues të demokracisë”, vepra të cilat do të mbetën në kujtesën dhe në arkivin e secilit që e njohën dhe e deshën.