UBT mbajti konferencën online kushtuar 12-vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës

09/04/2020

Për nderë të 12-vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ratifikimi i së cilës është bërë me 9 prill 2008, ndërkaq miratimi më 15 qershor, UBT mbajti video-konferencën kushtuar kësaj dite shtetërore me temë: “Drejtësia Kushtetuese në Kosovë- zhvillimi dhe pritshmëritë”.

 

Në këtë konferencë online diskutuan ekspertë dhe profesorë nga fusha e juridikut, teksa njëzëri u theksua se kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të Kosovës.

 

Duke thënë se kjo datë shënon ditën më historike të shtetit demokratik të Kosovës, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi shtoi se institucioni që ai drejton do të angazhohet maksimalisht që të nxjerr kuadro profesionale që do të angazhohen për shtetin e së drejtës.

 

“Kushtetuta e definon Kosovën si shtet demokratik, andaj misioni i jonë si institucion është i qartë sepse ne do të punojmë me gjeneratat e reja që të vazhdojnë sakrificën e këtij akti sublim,  nxjerrjen e kuadro profesionale që vazhdojnë traditën për shtetin e së drejtës”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Dekanja e Fakultetit Juridik në UBT, Jorida Xhafaj, theksoi se është krenari për atë që është arritur deri më tani në aspektin juridik, teksa shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan për vendosjen e rendit juridik në Kosovë.

 

“Koncepti i të ashtuquajturës kornizë kushtetuese nuk ka vetëm një karakter juridik sikurse trajtohet në shkencën e të drejtës kushtetuese, por ka karakter të fortë emocional e kombëtar, që ka për qëllim mbrojtjen e identitetit dhe prezencën e shtetit në çdo strukturë të tij”, tha dekanja Xhafaj.

 

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, foli gjerësisht për procesin e përgatitjes së projekt-kushtetutës, konkretisht për miratimin dhe ndryshimin e saj, me theks të veçantë për planin e presidentit Martti Ahtisari.

 

“Presidenti aso kohe kishte mandat politik, për çka unë shpreh konsideratat më të larta të popullit të Kosovës për kontributin që ka dhënë për vendin. Jetojmë në një kohë ku sistemet politike mund të parashikohen sidomos përmes kornizave të tilla institucionale sikurse kushtetuta e Kosovës, por në kohën në të cilën po hyjmë realisht parashikimi duket se do të kufizohet nga ngjarjet javore apo mujore”, tha Hoxhaj.

 

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, diskutoi foli gjerësisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut sipas normave kushtetuese.

 

“Është datë historike dhe shënon progres në aspektin politik dhe juridik të demokracisë në vendin tonë, por arritjen më të madhe në këtë segment e konsideroj inkuadrimi i instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe live të njeriut, përkatësisht kushtetuta e vendit përmbanë një listë të komventave ndërkombëtare që janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në sistemin tonë juridik, pra ka 8 konvetat më të rëndësishme”, bëri të ditur Jashari.

 

Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, foli për interpretimin e normave kushtetuese, ku tha se vendi vepron nën modelin e demokracisë kushtetuese.

 

“Kosova i takon modelit të sistemit të centralizuar ose demokracisë kushtetuese, që përbëhet nga tiparet dalluese, fillimisht shprehet në sundimin e shumicës, më pas fuqia politike e shumicës është e kufizuar me normë kushtetuese, si dhe demorkacia kushtetuese vë theks të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të individit dhe të pakicave”, tregoi ai.

 

 

Tutje, për sfidat e ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve foli profesori i të drejtës kushtetuese, Xhavit Shala, i cili tha se parlamenti i Kosovës formohet dhe merr jetë nga zgjedhjet.

 

“Fryma e pakos se Ahtisarit ka qenë ndërtimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuta e ka thelbin e saj konsensual, që do të thotë gjitha veprimet dhe funksionimi saj ndërtohet në mënyrë konsensuale. Shoqëria jonë ka diversitet, por diversiteti i kësaj shoqërie, qoftë etnik apo politik, por përfaqësohet në parlament dhe parlamenti është fotografia e Kosovës”, theksoi Shala.

 

Këshilltari në kabinetin e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh profesor në UBT, Artan Murati, diskutoi rreth kushtetutës së vendit, teksa përmendi edhe modelet kushtetuese dhe eksperiencën krijuar në vend.

 

“Jemi në një situatë politike dhe juridike në të cilën është pothuajse e pamundur që të diskutohet për reformë kushtetuese në këtë moment, për faktin se kushtetuta e vendit është prej kushtetutave më të ngurta për sa i përket procesit ose mënyrës se si amandamentohet sepse kërkohet dyfishi i shumicës gjë që është e pamundur të sigurohen. Prandaj, është e rëndësishme ngritja e kulturës politike dhe tentimi për krijimin e një koncensusi të përgjithshëm që ndikon pozitivisht edhe në jetën institucionale”, deklaroi Murati.

 

Video-konferencën e plotë mund ta dëgjoni në linkun: