UBT lidh bashkëpunim me Universitetin e Stambollit

18/09/2019

Delegacioni i UBT-së, i përbërë nga rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi dhe ligjëruesit, dr. Bertan Karahoda e Besnik Skenderi, kanë vizituar Universitetin e Stambollit, ku janë pritur nga rektori i këtij universiteti, prof. dr. Mahmut Ak.

 

Kjo vizitë u bë me qëllim të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Marrëveshja synon të sigurojë përfitime të ndërsjella për arsimin dhe aktivitetet kërkimore midis UBT-së dhe Universitetit të Stambollit, të zhvillojë dhe mbështesë fushat e interesit të përbashkët, parasheh shkëmbimin e studentëve, mobilitetin ndërmjet fakulteteve, kërkimet e përbashkëta shkencore dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik midis dy shteteve.

 

Pas vizitës së ndërtesës së rektoratit dhe takimit me rektorin dhe me pjesën tjetër të stafit të universitetit, delegacioni nga UBT vizitoi edhe Muzeun Arkeologjik të IU-së, “Ridvan Çelikel”.

 

UBT ka mbi 400 partnerë ndërkombëtarë nga pothuajse të gjitha vendet e botës, me të cilët, që nga themelimi e deri më sot, ka realizuar një varg aktivitetesh të përbashkëta, prej të cilave më së shumti kanë përfituar stafi dhe studentët e UBT-së.