UBT, lider në edukim digjital dhe përgatitje të gjeneratës së re të inovatorëve në Kosovë

12/10/2018

Që prej vitit 2001, UBT ka qenë nismëtar për sjelljen e inovacioneve të fundit teknologjike në Kosovë, duke shtyrë përpara revolucionin e digjitalizimit të sistemeve të vjetruara të kompanive dhe duke rikthyer në sistem gjithçka që deri në atë kohë konsiderohej si e pafunksionalizuar . Nga atëherë, UBT identifikohet si institucioni që ka përgatitur jo vetëm kuadro profesionale përmes ofrimit të programeve të edukimit me bazë teknologjinë, por edhe që ka ndihmuar drejtpërdrejt në procesin e digjitalizimit të industrisë në mbarë vendin.

 

UBT vazhdon të mbetet referencë për Kosovën sa herë që vendi ynë ka nevojë për përfaqësim në botë.

Stafi dhe studentët e UBT-së e kanë përfaqësuar vendin tonë në ngjarjet më të mëdha botërore për inovacion e teknologji, madje edhe në vendet të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, kjo pasi janë vlerësuar prurjet e reja përmes projekteve, punimeve dhe shpikjeve inovative, që i kanë shërbyer botës në vitet pasuese.

 

Në UBT është themeluar dhe funksionon Parku Shkencor, që është i pari dhe i vetmi në Kosovë e rajon.

Nën gjirin e tij janë themeluar edhe Inkubatori Virtual, Qendra e Dijes, Qendra e Inspirimit

dhe Qendra e Transferimit të Teknologjisë, të cilat ekzistojnë dhe janë funksionale vetëm në UBT, e të cilat nxjerrin e mbështetin në vit qindra projekte inovative, të cilat kanë gjetur hapësirë për rritje e zhvillim vetëm në UBT.

Tash e 17 vite, përmes përfaqësimit dinjitoz në shumicën e garave, UBT i ka sjellë Kosovës çmimet dhe vlerësimet e para ndërkombëtare për teknologji e inovacion.

 

Së fundi, UBT ka themeluar e licencuar Poliklinikën universitare më të madhe në rajon, ku janë inkuadruar e bashkuar përsosmërisht pajisjet mjekësore të teknologjisë së fundit dhe nevoja për shërbime cilësore, duke kontribuuar në sjelljen e një praktike tërësisht të re për vendin tonë dhe që shumë shpejt pritet ta marrin si model edhe institucionet e tjera.

 

Me të gjitha këto arritje, është zgjeruar rrjeti i bashkëpunëtorëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilët falë UBT-së, Kosovën nuk e konsiderojnë më vetëm si shfrytëzues të vlerave dhe njohurive të të tjerëve, por edhe si shtet partner të barabartë në dhënien e kontributit për ngritjen e vlerave shkencore në botë.