UBT i bashkohet fushatës së ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

18/10/2023

UBT i bashkohet fushatës për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, aktivitet që po mbahet përgjatë gjithë muajit tetor dhe po ka shtrirje në tërë Kosovën.

Me qëllim të ndërgjegjësimit të studentëve dhe nxënësve për parandalimin e kancerit të gjirit sot në UBT ishin specialistet e shëndetit publik nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, doktoreshat Mejreme Bajqinovci, Elfije Krasniqi, Nelifere Shabani-Krasniqi si dhe drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza.

Përmes këtij aktiviteti u tha se në vitin 2022 janë regjistruar 1119 raste me kancer dhe u bë thirrje për kontroll të hershëm mjekësor, pasi diagnostikimi i hershëm parandalon pasojat fatale.

Në këtë aktivitet si shembull i rezistencës dhe ngadhënjimit triumfues në luftën kundër kancerit të gjirit, dekanja e Fakultetit të Gjuhës Anglezë në UBT, Prof. Dr. Alma Lama ndau me të pranishmit përjetimin e saj në luftën me këtë sëmundje.

“Ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt parandalimit. Kanceri prek jetën e secilit, jo vetëm të prekurin por edhe familjarët që janë në rrethin tuaj që të bënë të ndihesh fajtor që ke shkaktuar dhimbje dhe mërzitje për personat që ti i do më së shumti. Por mbi të gjitha historia e kancerit është një histori e qëndrueshmërisë, e forcës, e shpresës dhe investimit në mënyrë që secili nga ne duhet kultivuar në jetën tonë”, tregoi ajo.

UBT si mbështetëse në fushata informuese dhe ndërgjegjësuese do të vazhdojë të ofrojë edhe më tutje kontribut në iniciativa të tilla qytetare për promovim të jetës së shëndetshme, si dhe për parandalim dhe diagnostikim të hershëm të sëmundjeve të ndryshme.