UBT filloi vitin e ri akademik me pritjen solemne të studentëve të rinj

09/10/2015

Studentët e rinj, që kanë zgjedhur për të studiuar në UBT, në vendin ku zgjedhin të studiojnë më të mirë dhe më të suksesshmit, janë pritur sot solemnisht, në nismë të vitit të ri akademik 2015/2016.

 

Në ceremoni të ndara, mirëseardhje u është dëshiruar studentëve të fakulteteve të Arkitekturës dhe të Ndërtimtarisë, pastaj atyre të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë, atyre që do të studiojnë Sistemet e Informacionit, Politikat Publike dhe Menaxhimin. Më tej u mirëpritën studentët e rinj që kanë zgjedhur të studiojnë Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Menaxhim të Mekatronikës dhe Inxhinieri të Energjisë, si dhe studentëve të rinj të Shkencave Politike, të Juridikut dhe të Mediave dhe Komunikimit.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi u dëshiroi mirëseardhje duke i uruar studentët dhe stafin për fillimin e vitit të ri akademik. Ai e konsideroi këtë fillim një ngjarje të rëndësishme ngase për studentët e rinj fillimi i studimeve në një institucion të arsimit të lartë është moment i paharrueshëm.


Ky është viti i 14-të që UBT punon dhe mirëpret studentë nga Kosova dhe vendet e rajonit.

Rektori Hajrizi tha se UBT ka arritur të integrohet në të gjitha strukturat dhe në programet e ndryshme botërore.

“UBT është pjesë e shkollave evropiane që ju ofron studentëve mësim të mirë dhe kushte për zhvillimin e praktikave”, tha dr.Hajrizi, duke shtuar se UBT është lider në aspektin e involvimit të teknologjisë në praktika profesionale, që i ndihmojnë studentëve në zhvillimin e tyre.


“Teknologjia e avancuar që gjendet në UBT, komunikimi, gjenerimi i ideve të reja, interaktiviteti janë këto gjëra që ne i ofrojmë, duke pasur për qëllim që studenti të ndahet i kënaqur nga ne, sepse duam që suksesi të jetë i garantuar”, u shpreh ai.

 

Rektori Hajrizi foli në vijim për vizitat studimore, një nga elementet dalluese të UBT-së, të cilat u ndihmojnë studentëve të ndërlidhin teorinë me praktikën, si dhe të njihen me kultura të reja dhe praktika të studimeve në universitete prestigjioze në botë.

“Kemi mbi 100 vende partnere që na ndihmojnë në promovimin e vlerave tona dhe studentëve i japim mundësi për të studiuar jashtë vendit me të njëjtat cilësi të studimeve dhe programeve”, tha në vijim rektori Hajrizi, duke shtuar se “së bashku me ju ne provojmë të ndërtojmë një elitë të studentëve të suksesshëm në çdo sferë profesionale”.

Ai theksoi në vijim se në UBT janë arritur suksese të mëdha, falë stafit profesional, ligjëratave të nivelit të lartë dhe studentëve të përkushtuar.


“Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm të standardeve ndërkombëtare. Jorastësisht UBT përfaqëson Kosovën nëpër gara ndërkombëtare edhe në arsimin e lartë edhe në cilësi edhe në shumë pika të tjera dhe falë bashkëpunimit kemi arritur të jemi të parët”, theksoi dr.Hajrizi.

Ai theksoi se infrastruktura, hapësira moderne për punë që ofron UBT i ndihmon studentëve zhvillim të gjithanshëm, me kushte dhe nivele të universiteteve botërore, ku studenti do të jetë në vazhdimësi i përcjellë dhe i ndihmuar, si në nxënien e dijes ashtu edhe në realizimin e projekteve dhe ideve të tij.


Dr.Hajrizi gjithashtu theksoi se UBT u jep bursa studentëve të mirë dhe ka një lidership sa i përket projekteve dhe granteve, që studentëve u mundësojnë të kalojnë një semestër ose një vit akademik në universitetet e huaja.

Para studentëve të rinj dhe familjarëve të tyre folën edhe dekanët e të gjitha fakulteteve, duke i njoftuar më në detaje me programet e studimeve, si dhe përfaqësues të Alumnit, që paraqitën përvojat e tyre të studimeve në UBT dhe rrugëtimin e tyre të suksesit pas studimeve në ndërtimin e karrierës.

 

 

Ceremonia e mirëseardhjes së studentëve të rinj do të organizohet edhe në degën e UBT-së në Ferizaj, më 10 tetor, duke filluar nga ora 10:00 në objektin e UBT-së në këtë qytet.