UBT e nderon me “Excellence Leadership Award” humanisten austriake, dr. Marianne Graf

07/03/2016

UBT, me qëllim të respektimit të veprave të saj – lidershipit të treguar për ndihmë të gjithanshme dhënë Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës, ka vendosur që humanisten e madhe austriake, dr. Marianne Graf, ta nderojë me çmimin “Excellence Leadership Award”.

Ndarja e çmimit “Excellence Leadership Award”, asaj do t’i jepet nga rektori i UBT-së, prof.  dr.Edmond Hajrizi, të martën, në objektin qendror të UBT-së, në Prishtinë, në orën 11:00.

Ky çmim u jepet personaliteteve më  të shquara, që kanë treguar lidership në fusha të ndryshme.


Dr. Graf, pos aktiviteteve të shumta në Kosovë, ka treguar lidership edhe për ndihmën ndaj komuniteteve të tjera në nevojë.    

Qysh në vitin 1992, duke parë varfërinë në Shqipëri dhe duke dashur t’i ndihmojë njerëzit atje, bashkë me bashkëshortin e saj, Wilhelm Graf, ka themeluar shoqatën e partneritetit, Shqipëri-Austri.

Aktivitetet kryesore të punës së saj ishin edukimi dhe përkujdesja shëndetësore, të drejtat e fëmijëve, krijimi i urave ndërlidhëse midis fshatrave, projektet për ndihmë grave, projektet për forcimin e paqes, përkrahja dhe mbrojtja  e minoriteteve, forcimi i dialogut ndërkulturor dhe ndërreligjioz, për ekologjinë, forcimin e ndërmarrjeve të vogla etj. 


Ka zhvilluar mbi 100 projekte, si ndërtimi i shkollave, ambulancave shëndetësore, kopshteve të fëmijëve, banesave sociale, qendrave të edukimit, urave etj. Në Shqipëri ka shpërndarë mbi 30 mijë paketa familjare, veshmbathje e ushqime, për familjet e varfra.

Në fund të viteve të 90-ta, dr.Graf merret me valën e refugjatëve nga Kosova. Nga maji i vitit 1998 deri në fundit të të njëjtit vit ka mbikëqyrë mbi 3.500 refugjatë. Në mars të vitit 1999, numri i refugjatëve kishte arritur në 13.000, ndërsa Graf ishte kujdesur për ta deri në kthimin e tyre në Kosovë. Para se trupat gjermane në kuadër të KFOR-it të zbarkonin në Kosovë, në qershor 1999,  ajo ishte vendosur në Drenicë, për t’u kujdesur për ndërtimin e shtëpive të djegura. Ishte pikërisht ajo, e cila udhëhoqi rindërtimin e 540 shtëpive të banimit, të shkatërruara gjatë luftës. Si humanitare e pakursyer, ka themeluar në Kosovë një Qendër për fëmijët e traumatizuar, një kopsht shumetnik të fëmijëve, një qendër rinore dhe ka dhënë ndihmë pa pashoqe në aktivitete të tjera.

Për shkak të aktivitetit të saj humanitar, humanistja Graf, më 1996, në Shqipëri, ka marrë çmimin “Urdhri Nëna Terezë”.   


Ka fituar dhe ka qenë kandidate edhe për dhjetëra çmime të tjera ndërkombëtare për çështje humanitare, mirëpo në Kosovë ajo ka fituar çmimin  „Çmimi i Madh për Paqe dhe Humanizëm“. Këtë çmim e ka ndarë bashkë me Kryeadministratorin e parë të Kosovës, Bernard Kouchner dhe Komandantin e parë të forcave paqeruajtëse në Kosovë (KFOR), Gjeneralin – Mike Jackson.

Më 2007, kryeministri i Kosovës, me mbështetjen edhe të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, e kishte nominuar atë për Çmimin Nobël për Paqe, si përfaqësuese e hapjes së jetës, në Shqipëri dhe Kosovë.

Dr. Marianne Graf njihet edhe për vepra në fushën e publicistikës. Ndër botimet e saj, njihen edhe veprat: “Albanien nördlich des Shkumbin” (Shqipëria në lindje të Shkumbinit) – Bildband, 2003, si dhe “Northern Albania, From Petrela to Jezerca” (Shqipëria lindore, nga Petrelja deri në Jezerc) –  2006.

 

Aktivitetet e saj në të mirë të Kosovës janë të panumërta, mirëpo do veçuar edhe kërkesat e vazhdueshme të saj që Kosova të hyjë me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.