BETA

UBT e ka shndërruar Learta Stavilecin në arkitekte profesioniste, tash do të vazhdojë studimet në Universitetin e Anhalt-it

03/10/2018

Ka përfunduar dhjetëra praktika brenda dhe jashtë vendit paralel me studimin që e ka bërë në UBT, ndërkaq tash është koha që studentja e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Learta Stavileci të marrë një eksperiencë shumë më ndryshe, të cilën e ka ëndërruar prej kohësh.

Prej këtij viti akademik, ajo do të vazhdojë studimet në Anhalt University of Applied Sciences, falë bashkëpunimit të ngushtë që UBT e ka me këtë universitet të njohur gjerman.

 

Ndonëse vlerëson se në UBT është përgatitur jashtëzakonisht shumë për këtë profesion, Learta tha se është ëndërr jetësore e saj që të vazhdojë ngritjen e mëtejme akademike atje ku është universiteti më i njohur dhe qendra e arkitekturës, sepse në të gjendet fakulteti i mirënjohur, “BAUHAUS”, i cili është krijuar nga grupi i arkitektëve më të njohur gjatë shekullit të kaluar.

“Planet për të ardhmen janë që t’i përfundoj së pari studimet me arritje të larta, e pastaj të kthehem në vendin tim dhe të kontribuoj”, u shpreh ajo, teksa tregoi se procedurat për aplikim ishin shumë të thjeshta.

“Falë bashkëpunimit që ka UBT me Universitetin e Anhalt-it, procedurat për aplikim nuk ishin të vështira dhe më është njohur lehtësisht niveli paraprak i studimeve. Profesorët kanë qenë gjithmonë të gatshëm të më ndihmojnë në çdo aspekt gjatë studimeve dhe nuk ka munguar as tani ndihma e tyre. Ata gjithmonë më kanë dhënë motiv që të vazhdoj më tutje dhe të arrij suksese të mëtutjeshme”, sqaroi Learta.

 

Gjatë viteve të studimeve, ajo ka qenë aktive gjithmonë dhe ka përfunduar praktika e është punësuar nëpër kompani dhe institucione të njohura brenda dhe jashtë Kosovës.

Gjatë vitit të fundit të studimeve të nivelit bachelor, ajo ka punuar një vit në Komunën e Prishtinës, saktësisht në Zyrën për Regjenerim Urban në Drejtorinë e Urbanizmit. Pas përfundimit të studimeve ka kryer edhe disa praktika në byrotë e Prishtinës dhe tash e dy vite ka qenë duke  punuar në byronë arkitektonike, “ANARCH”, në Prishtinë. Po ashtu, gjatë kësaj vere ajo ka qenë në Pragë të Çekisë, ku ka kryer praktikën në kompaninë e njohur, “Aukett Swanke”.