Studenti Dëfrim Zenuni punësohet në Spitalin Rajonal të Ferizajt

27/09/2018

Dashuria për mjekësinë, njohuritë e shkathtësitë profesionale dhe dëshira e madhe për të ndihmuar njerëzit, ka bërë që Dëfrim Zenuni të bëhet student i gjeneratës së parë të Fakultetit të Infermierisë në UBT.

 

Puna e tij intensive brenda dy viteve të studimeve është shpërblyer menjëherë, pasi tashmë ai ka filluar që ta zbatojë në praktikë profesionin që ka zgjedhur.

Ai po punon në pozitën e infermierit të përgjithshëm me shkollim të mesëm në Spitalin Rajonal të Ferizajt, pas një procesi seleksionimi përmes provimit me shkrim dhe intervistës me gojë.

“Kjo punë për mua është shumë e rëndësishme duke marrë parasysh nevojat e spitalit për staf të mesëm, pasi që ka qenë gjithmonë një problem për vijimin normal të punës në spital, e sidomos në repartin e Emergjencës, ku vihet re mungesa e punëtorëve, andaj pozita e infermierit është shumë e rëndësishme në përmirësimin shërbimeve shëndetësore”, tha Dëfrimi.

 

Për këtë punë humane, ai i jep merita edhe UBT-së, prej ku thotë se i mori bazat e para të profesionit, si dhe format më të duhura për kujdes ndaj pacientëve.

“Në UBT kam arritur të përvetësoj shumë njohuri mbi degën e infermierisë. UBT ka një staf adekuat për ngritje profesionale të studentëve, gjithashtu ka sjellë profesorë nga shtetet më të zhvilluara të botës, të cilët shpalosën para nesh eksperiencën e tyre.

Kjo ishte një ndihmë shumë e madhe për mua dhe për studentët e tjerë në aspektin e formimit si një kuadër sa më cilësor”, u shpreh Dëfrimi.

 

Plani e tij për të ardhmen është avancimi i mëtejmë në degën e Infermierisë, duke pasur parasysh faktin se si i punësuar, me ndihmën edhe të UBT-së, mund të marrë përvojën e duhur për të vazhduar me përgatitje në aspektin teorik dhe në atë praktik të profesionit të infermierit.