UBT dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për avancimin e arsimit, shkencës dhe inovacionit
27/07/2026UBT dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe shkëmbimit akademik. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta në interes të të dy institucioneve.
Në kuadër të këtij partneriteti, një delegacion i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i udhëhequr nga Rektori Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, zhvilloi një vizitë në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, ku u mirëprit nga Rektori Hajrizi. Gjatë vizitës, delegacioni u njoh nga afër me infrastrukturën moderne të UBT-së, laboratorët, qendrat e inovacionit dhe mjediset bashkëkohore të mësimdhënies, të cilat e kanë pozicionuar UBT-në si një nga institucionet më inovative të arsimit të lartë në rajon.
Në takimin e zhvilluar mes drejtuesve të dy institucioneve u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta kërkimore, zhvillimin e programeve akademike, mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe nisma të tjera që synojnë avancimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe rritjen e ndikimit të përbashkët në kërkim, inovacion dhe zhvillim.
Takimi u zhvillua në një frymë partneriteti, duke rikonfirmuar angazhimin e UBT-së dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës për të ndërtuar iniciativa të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin e arsimit, shkencës, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.

