UBT, bashkë me kompanitë më të mëdha, mbështet projektin “Frozen Music” për përkrahje të studentëve kosovarë

15/11/2016

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, të hënën mbrëma, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve të garës për bursa, në projektin “Frozen Music”, ide e Sharrcem-it, e mbështetur nga Rrjeti CSR Kosova, Al Trade, UBT, ProCredit Bank, Universiteti i Prishtinës – FNA, Këshilli i Investitorëve evropianë etj.

Hapjen e ceremonisë e bëri z. Senton Kaçaniku, udhëheqës i projektit dhe drejtor i CSR Kosova, ndërsa bursa për studime Master në shtetet evropiane fituan studentët: Shqipton Arifi (Arkitekturë) si dhe Bledian Nela (ndërtimtari). Ata mund të zgjedhin ku të studiojnë, me të gjitha kushtet e plotësuara.

Dy studentët janë shprehur shumë të kënaqur me bursat e fituara, ndërsa kanë vlerësuar lart transparencën e treguar gjatë projektit. 

Në projekt janë prezantuar 25 punime, për të cilat, siç ka theksuar Kaçaniku janë me plot ide. 

Janë edhe 6 fitues për vizita ndërkombëtare të studimit në Bienalen e Venedikut, 2 nga fituesit kanë fituar laptopë me performancë tepër të lartë, që u ndihmon atyre në avancimin profesional. 3 studentë të tjerë kanë fituar libra, të cilat janë vështirë të qasshme, por edhe trajnime.

Robert Wright, kryeshef ekzekutiv i Reiffeisen Bank në Kosovë, ka thënë se më herët nuk ka parë një popullsi kaq të re dhe ambicioze, ndërsa ka lavdëruar studentët për kreativitetin e treguar.

 

Për z.Emmanuel Mitsou, drejtor dhe përfaqësues i Sharrcem-it, synimi i përgjithshëm i projektit është të fuqizohet rinia kosovare përmes arsimit, duke promovuar qëndrueshmërinë, efiçiencën dhe parimet udhëheqëse brenda komuniteteve të arkitektëve dhe ndërtimtarëve të rinj të Kosovës. 

Ai shtoi se nuk do të ndalen, por do të krijojnë platforma të reja nën udhëheqjen e të rinjve kosovarë.

 

Në emër të rektorit të UBT-së, ka folur dekani e Fakultetit të Arkitekturës, Lulzim Beqiri. Ai, duke transmetuar fjalët e prof.dr.Edmond Hajrizit, ka theksuar se UBT e ka derën hapur për ata që kanë iniciativa, sidomos kur në plan të parë është studenti dhe promovimi i vlerave të tij.

Fjalë të mirë për projektin kanë folur edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve arsimore, si Naser Kabashi e Anila Berisha. Në fund, të pranishmit vizituan punimet e garuesve, të ekspozuara në ambientet e UBT-së.