UBT arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Wroclaw-it të Polonisë

10/02/2017

UBT ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Wroclaw-it për Shkencë dhe Teknologji nga Polonia.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi tha se marrëveshja e bashkëpunimit paraqet një hap drejt një përfitimi të ndërsjellë, në fusha të ndryshme dhe në interes të dy universiteteve. 
“Objektivat kryesore të kësaj marrëveshjeje janë shkëmbimi i përvojave në metodat e mësimdhënies, shkëmbimi i stafit akademik për qëllime të ligjëratave, seminareve etj.”, tha rektori Hajrizi.


Ai tha se fushat që përfshihen në marrëveshje parashohin bashkëpunime në projekte të përbashkëta të hulumtimit, shkëmbimin e informacioneve shkencore dhe teknologjike, koordinimin e studimeve hulumtuese, shkëmbimin e rezultateve shkencore në fushat e definuara, publikimin e rezultateve të këtyre fushave, organizimin e konferencave, seminareve dhe simpoziumeve të përbashkëta e të tjera.

 

Përmes arritjes së këtij bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve, parashihen edhe vizitat bashkëpunuese ndërmjet stafeve akademike, administrative dhe studentëve, në mënyrë që të krijohen mundësi më të mira për studentët, të cilët vijojnë studimet e nivelit master dhe doktoraturë.

 

Universiteti i Worclaw-it është themeluar në vitin 1702, i cili në fokus të studimeve i ka kërkimet shkencore.
Vlen të theksohet se në këtë universitet kanë studiuar e diplomuar nëntë fitues të Çmimit Nobel.