UBT akreditohet nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS)

18/08/2026

UBT forcon edhe më tej pozitën ndërkombëtare në sport dhe shëndetësi. Instituti i Mjekësisë Sportive në UBT është pranuar zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si Collaborating Centre of Sports Medicine, duke e bërë pjesë të rrjetit global të institucioneve të specializuara në këtë fushë.

Kjo njohje i hap UBT-së mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, kërkim shkencor, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim profesional, duke sjellë më afër Kosovës ekspertizën dhe praktikat bashkëkohore të mjekësisë sportive.

Përfshirja në rrjetin e FIMS është pjesë e vizionit të UBT-së për të ndërtuar një ekosistem ku sporti, shëndetësia, edukimi dhe shkenca janë të integruara. Në këtë ekosistem, një rol të rëndësishëm ka edhe Fakulteti i Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes, duke lidhur përgatitjen akademike me performancën sportive, rehabilitimin dhe mjekësinë sportive.

Për të rinjtë nga Kosova dhe rajoni, kjo do të thotë më shumë mundësi për të mësuar, bashkëpunuar dhe zhvilluar karrierën në një fushë që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në botë.

Kjo arritje i bashkohet edhe aktiviteteve të tjera të UBT-së në këtë fushë, përfshirë Konferencën Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive, e cila këtë vit zhvillohet për herë të dytë, në muajin tetor, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.