Tenori Ramë Lahaj mbajti ligjëratë për studentët e Fakultetit të Muzikës Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment

31/10/2020

Në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, tenori Ramë Lahaj, mbajti ligjëratë tematike për studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment, gjithnjë duke respektuar masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë për virusin COVID-19.

 

Tenori Ramë Lahaj, ndau me studentët eksperiencën e tij profesionale në fushën e muzikës dhe shkëmbeu përvojat e tij në rrugëtimin drejt suksesit që ai tani po shijon në muzikë.

 

Në bashkëbisedimin që ai kishte me studentët, Lahaj u shpjegoi atyre rëndësinë që ky profesion ka për të, dhe i shtyu ata që të vazhdojnë këtë rrugë që ata kanë zgjedhur.

 

“Gjeni zhanrin që ju dëshironi edhe ju përshtatet, ngrihuni njëherë intelektualisht e pastaj profesionalisht. Keni vetëbesim dhe besoni në atë që ju dëshironi të bëni”, tha tenori Ramë Lahaj, drejtuar studentëve të Fakultetit të Muzikës Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment.

 

Pjesëmarrës në këtë ligjëratë ishte edhe rektori, prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili falënderoi tenorin Ramë Lahaj për prezencën e tij dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave të tij me studentët.

 

“Ramë Lahaj është model i suksesit dhe është një shembull i mirë edhe i këngëve të kombinuara popullore dhe artistike, që i bëjnë vlerat më ndryshe. Ajo që ka bërë nuk është një punë e lehtë, por e mundshme”, është shprehur rektori Hajrizi.