Të hënën, në UBT promovohet projekti EuroPS në Shkenca Politike

24/04/2017

Në ambientet e UBT-së, në Prishtinë, të hënën, më 24 prill, UBT organizon tryezën më titull “Ne i inkurajojmë ballkanasit perëndimorë”, me qëllim që të promovohet dhe të prezantohet para studentëve dhe palëve të interesuara projekti EuroPS – Kurrikula e Zhvillimit për programin e përbashkët në nivelin master, në Shkenca Politike Evropiane, por në të njëjtën kohë, të promovohen edhe vlerat e paqes, demokracisë dhe solidaritetit në jubilarin e 60-të të Bashkimit Evropian.

 

Ky program financohet nga programi Erasmus+ i BE-së dhe ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve në edukimin e lartë, kurse si projekt udhëhiqet nga Universiteti i Salzburgut në Austri, i përfaqësuar nga dr. Franz Kok, si dhe nga partneriteti kosovar në mes të Departamenteve të Shkencave Politike, në kuadër të UBT-së dhe kolegjit Fama.

 

Ky promovim do të bëjë së bashku institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të korit diplomatik, studentë, ligjërues, OJQ dhe palë tjera, të interesuara në shkencat politike, edukimin e lartë si dhe në evropianizimin e Republikës së Kosovës.

 

Pas një pune të gjatë dyvjeçare për krijimin e programit të integruar master, konsorciumi i përbërë nga disa universitete dhe institucione tjera të arsimit të lartë, përfshirë UBT-në, Universitetin e Salzburgut, Universitetin e Pavias, pastaj atë të Lubjanës, të Tiranës, të Sarajevës etj., tanimë kanë lansuar programin e përbashkët master në Shkenca Politike- Integrim dhe Qeverisje (PoSIG), teksa kurrikula e këtij programi fokusohet në integrim dhe në qeverisje, në mënyrë që të përgatisë kuadro për tregun e ardhshëm të punës si dhe të ndihmojë në evropianizimin e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.