Misioni i programit është të edukojë dhe të përgatisë profesionistë të pasurive të paluajtshme të cilët luajnë një rol kryesor në zhvillimin e mjedisit të ndërtuar dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës urbane. Nëpërmjet mësimdhënies inovative, kërkimit me ndikim dhe menaxhimit transformues të pasurive të paluajtshme, ndërtimit dhe burimeve të infrastrukturës, të diplomuarit tanë do të kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen strategjike të rajonit. Ne jemi të përkushtuar për të nxitur një perspektivë globale dhe për të kultivuar aftësi udhëheqëse që janë thelbësore për avancimin arsimor, social, ekonomik, politik, mjedisor dhe kulturor të Kosovës dhe më gjerë.
Qëllimi i programit të Menaxhimit të Pasurive të Paluajtshme është të përgatisë studentët me njohuri të thella dhe aftësi praktike në fushat e pasurive të paluajtshme, infrastrukturës dhe zhvillimit urban. Programi promovon mendimin analitik dhe kritik, marrjen strategjike të vendimeve dhe kompetenca ndërdisiplinore, duke përgatitur të diplomuarit për role të rëndësishme në formësimin e mjedisit të ndërtuar dhe menaxhimin e rritjes urbane në mënyrë të qëndrueshme.
Objektivat e programit janë:
- Të ofrojë njohuri të thelluara mbi kornizat ligjore, financiare dhe teknike në sektorin e pasurive të paluajtshme.
- Të zhvillojë aftësi praktike për vlerësimin e pasurive, planifikimin e projekteve dhe analizën e investimeve.
- Të forcojë kompetencat në komunikim, punë në ekip dhe lidership në projekte zhvillimore me shumë aktorë.
- Të inkurajojë inovacionin dhe përdorimin e teknologjisë në menaxhimin e pasurive dhe infrastrukturës.
- Të kultivojë vetëdije për nevojat shoqërore, qëndrueshmërinë dhe standardet etike në zhvillimin e pasurive.
Rezultatet e mësimnxënies së programit janë:
NJOHURITË
- Identifikojë dhe interpretojë ligjet, rregullat dhe rregulloret nën të cilat funksionon industria nga këndvështrimi menaxherial, përfshirë aspektet e agjencisë dhe ndërmjetësimit në pasuri të paluajtshme, si dhe të drejtën kontraktuale në këtë fushë.
- Përshkruajë projektet arkitektonike që rrisin vlerën e pasurive të paluajtshme dhe shpjegojë rolin e menaxhimit strategjik në rritjen e vlerës së pronës.
- Përmbledhë mënyrat efektive të planifikimit dhe zhvillimit të hapësirës, mjedisit të ndërtuar dhe infrastrukturës në kuadër të përhapjes urbane, ndryshimeve demografike, migrimit, mungesës së burimeve natyrore dhe infrastrukturës sociale, dhe definojë si zbatohet sipërmarrja dhe negocimi i partneriteteve në këto kontekste.
- Ilustrojë se si faktorët kryesorë ndikojnë në çmimet e banesave si demografia, migrimi neto dhe planifikimi hapësinor, dhe mënyrën e përfshirjes së njohurive nga zhvillimi i pasurive të paluajtshme dhe ndryshimet organizative.
SHKATHTËSITË
- Mbledhë dhe analizojë të dhëna të transaksioneve financiare të pasurive të paluajtshme për të krijuar gjykime mbi investimet, duke përfshirë analiza financiare dhe teknikat masive të vlerësimit.
- Zbatojë metoda të ndryshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, përfshirë edhe inteligjencën artificiale për të përmirësuar saktësinë dhe efikasitetin.
- Shpjegojë se si përdoren kanalet e ndryshme të marketingut për të shitur produkte të pasurive të paluajtshme, me fokus në marketingun digjital dhe marrëdhëniet me klientët.
- Bashkëpunojë me kontabilistët në përgatitjen e pasqyrave financiare dhe me departamentin financiar për kontabilitetin e optimizimit të kostos për qëllime të brendshme, dhe shpjegojë implikimet për lidershipin dhe menaxhimin në pasuri të paluajtshme.
- Vlerësojë kontratat e partneriteteve publike-private, duke marrë parasysh aspektet e negocimit të partneriteteve dhe menaxhimin strategjik.
KOMPETENCAT
- Punojë në ekipe gjatë përgatitjes dhe zbatimit të projekteve të zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe infrastrukturës, duke shfrytëzuar aftësitë në lidership dhe sjellje organizative.
- Analizojë në mënyrë kritike një fenomen të pasurive të paluajtshme përmes perspektivave të ndryshme disiplinore, përfshirë këndvështrimet ligjore, financiare, menaxheriale dhe teknologjike.