Studentja Trinë Ismajli, zhvilluese e ueb-it në kompaninë austriake, “SCOOP & SPOON”

23/04/2019

Studentja e nivelit master në Fakultetin e Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë, Trinë Ismajli pothuajse tash e katër vite është pjesë e kompanisë së njohur austriake për marketing dhe dizajn, “SCOOP & SPOON”, ku punon si zhvilluese e ueb-it.

 

Trina tha se sigurimi i një vendi të punës pa i përfunduar studimet e nivelit bachelor është sfidë dhe përgjegjësi në vete, por që e ka arritur me përkushtim dhe punë të vazhdueshme.

“Falë profesorëve shumë të kualifikuar, asistentëve me të cilët kemi mbajtur ushtrimet gjatë periudhës së studimeve bachelor, si dhe gjithmonë interesi im në këtë lëmi, kanë ndikuar që unë të përfitoj shumë nga studimet e mia në këtë fushë dhe të punësohem ende pa i mbaruar studimet. Tash i bëj katër vite përvojë pune, pa ndaluar asnjëherë”, tregoi ajo.

 

E nga periudha e studimeve bachelor, tash edhe në master, Trina ruan shumë kujtime që i dhanë përvoja të reja dhe e shndërruan në profesioniste të vërtetë.

“Një nga ngjarjet të cilën do ta vlerësoja në nivelin bachelor është fitimi i bursave për dy vite radhazi për shkak notës sime mesatare, si dhe certifikata e fituar si “Studentja më e mirë e vitit”, në Ceremoninë e Diplomimit”, vlerësoi ajo.

 

Trina ka përfituar edhe nga marrëveshjet e bashkëpunimit të UBT-së me universitetet ndërkombëtare, me ç’rast gjatë studimeve master, ajo ishte pjesë e programit të shkëmbimit të studentëve, ku me bursë të plotë studimi kaloi një semestër në Staffordshire Univerisity, në Britani të Madhe.