Studentja e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, Valentina Koxha po punon si inxhiniere e softuerit në Incodeks

23/01/2024

Valentina Koxha, studente e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, është një shembull frymëzues i suksesit akademik dhe profesional për të gjithë studentët e tjerë të cilët duan të kenë karrierë në këtë fushë. Historia e saj dëshmon vlerat dhe mundësitë që ofron UBT për ata që janë të përkushtuar në zhvillimin e një karriere të suksesshme në fushën e shkencave kompjuterike.

Valentina aktualisht është duke punuar si inxhiniere e softuerit në Incodeks. Ajo ka filluar të punoj që nga viti 2021 në këtë fushë edhe për kompani të tjera prestigjioze, ku ka fituar përvojë të vlefshme praktike dhe gjithashtu ka përmirësuar aftësitë e saj.

Studimet e saj akademike në UBT kanë shërbyer si themel i fuqishëm për formimin e karrierës së saj. Valentina thekson se kurrikula e strukturuar mirë dhe përqendrimi i stafit pedagogjik kanë krijuar një mjedis mësimor të përshtatshëm. Në veçanti, mundësia për të marrë pjesë në një program studimi të dyfishtë me kompaninë Beo Software ka lejuar Valentinën të zbatojë njohuritë e marra në praktikë.

“Studimet e mia akademike në UBT luajtën një rol të rëndësishëm në formësimin e karrierës sime. Kurrikula ishte e strukturuar mirë dhe ka ofruar një bazë të fortë në konceptet teorike, gjuhët e programimit të mësuara dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Një pikë kryesore gjatë studimit në UBT ishte mundësia për të marrë pjesë në një program studimi të dyfishtë me Beo Software, ku mund të zbatoja njohuritë teorike të marra në universitet drejtpërdrejt në një mjedis praktik”, ka thënë Koxha.

UBT ka zhvilluar shkollën më të madhe të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në Kosovë dhe rajon, bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare, duke iu ofruar studentëve diplomë të njohur ndërkombëtarisht.