Studentja Albina Vuthi shkon në internship në Vjenë

09/02/2015

Studentja e UBT-së, Albina Vuthi së shpejti do të udhëtojë për në Vjenë të Austrisë, ku për tre muaj do të bëjë internship në një kompani të njohur, në zyrën projektuese COOP Himmelblau, ku do të merret me projektim dhe modelim të projekteve të ndryshme.

 

“Ky intership, duke marrë parasysh se kompania COOP Himmelblau është një ndër kompanitë më të mira në Evropë dhe në botë për arkitekturë, është një rast që definitivisht të jepet një herë në jetë dhe mendoj që, përveç që do të më përgatis më mirë profesionalisht, po ashtu do të më hapë shumë dyer për të ardhmen”, shprehet Albina.

 

Ajo edhe në shkollën e mesme ka qenë në drejtimin e arkitekturës, të cilin e ka vazhduar edhe në UBT. “Përvojat në UBT janë shume unike dhe të veçanta. Po ashtu, përbëjnë një kapitull shumë të rëndësishëm në formimin tim si një arkitekte e ardhshme”, theksoi Albina.

 

Sipas saj, tre vitet e kaluara në UBT e kanë pasur rëndësinë e tyre në zhvillimin e aftësive  dhe të menduarit si një arkitekte. Ndërsa, ajo thotë se një ndër përvojat interesante gjatë studimeve “eurotripi” i organizuar nga UBT.

 

Duke shpalosur planet e shumta për të ardhmen, ajo thotë se aktualisht është shumë e fokusuar në udhëtimin dhe në internshipin që e pret dhe planifikon të regjistrojë jashtë vendit studimet master.

 

Albina Vuthi ka edhe një porosi për studentët e rinj. Ajo thotë se ata duhet të jenë të vetëdijshëm që çdo rrugë që e marrin nuk është e lehtë, por ata duhet të vazhdojnë të besojnë në ëndrrat e tyre dhe në veten e vet dhe asnjëherë të mos heqin dorë, sepse mundi do t’ju shpërblehet.