Studenti Mustafa, arkitekt kryesor në “Kooperativa Reality Show”

14/06/2017

Projekti “Kooperativa Reality Show”, i propozuar nga kompania ndërtimore dhe projektuese “Princesha Construction”, është projektuar nga studenti i UBT-së, Alban Mustafa, i cili njëherësh edhe i mbikëqyrë punimet në pjesën ndërtimore të këtij projekti humanitar. 
Ky i fundit po përfundon suksesshëm studimet e nivelit bachelor, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ku thotë se është pikërisht ky institucion i arsimit të lartë, që i ka ndihmuar në ngritje të karrierës profesionale.


Mustafa tha se në këtë projekt mban pozitën e arkitektit kryesor, ku aplikon standardet më të larta në projektim, planifikim dhe menaxhim të projekteve, praktika të cilat i ka mësuar e praktikuar në UBT.
“Nga UBT kam përfituar njohuri të shumta, që i kemi praktikuar e të cilat më kanë ndihmuar edhe për karrierë profesionale. Aktualisht, jam arkitekti kryesor në “Kooperativa Reality Show”, planin e të cilit e kam projektuar si dhe do të jem mbikëqyrës i punimeve deri në finalizimin ose përfundimin e këtij aksioni humanitar”, tregoi ai.

 

Studenti Mustafa ka qenë aktiv gjatë kohës së studimeve dhe ka propozuar e më pas projektuar shumë ndërtesa. Aktualisht, ai për rreth gati 1 vit, punon tek kompania ndërtimore “Princesha Construction”, i cili projekton ndërtime të larta, që thotë të jenë sipas normave e standardeve të pranueshme të arkitekturës.

 

Reality Show Kooperativa është një format i veçantë televiziv, i cili i ka identifikuar pesë familje skamnore në tre regjione të Kosovës, që jetojnë në kushte rënda ekonomike, prej të cilave, njëra familje do të jetë përfituese e një shtëpie të projektuar nga ekipi profesional.