Studenti i UBT-së, Arbnor Demaj prodhon maska për foshnjat e porsalindura

02/05/2020

Studenti i UBT-së, Arbnor Demaj, përmes kompanisë së tij “MARO”, ka bërë prodhimin e maskave për foshnje të porsalindura, së bashku me OJQ-në “Help Kosovo”.

 

Ai së bashku më OJQ-në, “Help Kosovo”, janë përgjigjur në kërkesën e QKUK-së për të krijuar maska për foshnje të porsalindura, ku kanë krijuar modele shumë të veçanta dhe funksionale, mirëpo edhe unike sa i përket dizajnit dhe funksionit të tyre.

 

“UBT është vendi ku i kam fituar njohuritë për t’u përgatitur për tregun aktual të punës, dhe përveç përkrahjes profesionale, UBT na ka përkrahur edhe me mjete të nevojshme në krijimin e maskave ndaj virusit COVID-19”, theksoi Arbnori.

 

Duke qenë student i Fakultetit Dizajn i Integruar, ai tha se e ka marrë këtë nismë duke e parë nivelin e lartë të rrezikut me të cilin përballen foshnjat e porsalindura, e mbi këtë koncept, pra të ofrimit të zgjidhjeve për problemet e shoqërisë, e ka hapur edhe kompaninë e vet.

 

“Duke i marrë në bazë aftësitë dhe njohuritë e marra nga drejtimi im në UBT, gjatë kohës së studimeve jam mundur që të ofrojë çdoherë produkte të reja, unike dhe inovative, që shërbejnë për zgjidhjen e problemeve dhe për ofrimin e zgjidhjeve me anë të dizajnit. Për këtë arsye edhe e kam themeluar kompaninë time. Synimet e mia janë që të rris stafin, si dhe të investojë në teknologji të avancuara, që kështu të shndërrohemi në fuqi prodhuese të produkteve, duke kontribuuar në përmirësimin e sfidave të jetesës si shoqëri dhe duke kontribuuar në zhvillimin ekonomik në Kosovë”, tregoi Arbnori.

 

Studentët e UBT-së nga të gjitha fakultetet i kanë dalë në ndihmë institucioneve dhe kompanive vendore në tejkalimin e kësaj periudhe të vështirë të pandemisë.