Studentët e UBT-së shfaqin kreativitetin e tyre në garën “1st Spaghetti Bridge Building 2018 Challenge”

27/12/2018

Dhjetëra studentë të UBT-së, të Fakultetit Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe të Dizajnit të Integruar, të ndarë në 25 grupe, po shpalosin kreativitetin e tyre profesional në një ambient pune të përbashkët, të nxitur nga gara “1st Spaghetti Bridge Building 2018 Challenge”, nga e cila do të dalë ekipi fitues i ndërtimit të urës më të qëndrueshme me shpageta.

 

Ideja e kësaj gare që në mars do të mbahet edhe në nivel rajonal, është konstruktimi i një ure që duhet të përmbajë maksimumi 1.2 kg shpageta dhe të njëjtat duhet të ngjiten ndërmjet tyre me çfarëdo lloj ngjitësi, me qëllim që ura fituese të ketë aftësinë më të lartë mbajtëse, pra ajo që do të arrijë t’i rezistojë ngarkesës më të lartë që vendoset në pjesën e poshtme të saj.

 

Me nisjen e garës, profesorët në UBT, prof.. dr Visar Krelani dhe PhD Cand. Driton Kryeziu, u dhanë studentëve garues informacione dhe këshilla mbi mënyrat e duhura të ndërtimit të urave sa më të qëndrueshme.

 

Gara “1st Spaghetti Bridge Building 2018 Challenge” do të përfundojë nesër, kur edhe do të matet qëndrueshmëria e urave të ndërtuara nga studentët, ndërkaq ky parametër do të nxjerrë edhe ekipin fitues të garës.