Studentët e Arkitekturës vizitojnë Fabrikën e Bukës, në Ferizaj

06/05/2019

Në kuadër të lëndës “Studio Dizajn 3”, studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, realizuan vizitë studimore në Fabrikën e Bukës, që ndodhet në qytetin e Ferizajt.

 

Vizita u bë nën shoqërimin e profesorit të lëndës, Kujtim Elezi, i cili theksoi se vizita në një fabrikë të kësaj natyre është e një rëndësie të veçantë.

 

Studentët u njoftuan me të gjitha detajet e njësive funksionale të fabrikës, përfshirë aspektin organizativ, procesin e prodhimit dhe afatizimet kohore për procesin e punës. Po ashtu, patën rastin të vizitojnë pjesën e sillosit të drithërave dhe miellit, ku e panë nga afër procesin e prodhimit dhe funksionalizimin e kësaj fabrike.

Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, vazhdimisht po organizon vizita të karakterit studimor, me qëllim të ndërlidhjes së teorisë dhe praktikës, si dhe me qëllim që studentët të përfitojnë njohuri e përvoja profesionale.