Shpallen projektet fituese të studentëve të UBT-së, nga punëtoria UPSHIFT-it

28/06/2018

Ka përfunduar punimet punëtoria “UPSHIFT: Social Impact Workshop”, organizuar nga UBT dhe UNICEF Innovations Lab Kosovo, ku morën pjesë shumë studentë të UBT-së, të ndarë në 10 grupe, prej të cilëve tri grupe janë shpallur fituese.

Projektet fituese janë: “N’trafik”, “E-Farming” dhe “Mental Health App”, të cilat janë zhvilluar si rezultat i bashkëpunimit të UBT-së dhe UNICEF-it. Këto projekte fituan grandin nga 2 mijë euro për projekt me qëllim të jetësimin të këtyre ideve, teksa në muajt në vijim grupet fituese do të punojnë në finalizimin e ideve.

Gjatë realizimit të projekteve grupet fituese do të përkrahen nga stafi akademik i UBT-së, njëherësh do të shfrytëzohen edhe hapësirat dhe laboratorët e institucionit për të zhvilluar punimet.

UPSHIFT është organizuar nga Qendra e Inovacionit Social “INSPIRE”, në kuadër të programit “Colibri”, teksa është një mundësi e mrekullueshme për jetësimin e projekteve inovative të studentëve të cilat kanë për qëllim të ndihmojnë në identifikimin dhe në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, me të cilat përballen qytetarët e Kosovës në baza ditore.