Rektori prof. dr. Hajrizi hapi solemnisht Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit

17/03/2017

Pak pas ligjëratës së presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me studentët e UBT-së, në ambientet e Kampusit Inovativ, në Lipjan, të premten, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka hapur solemnisht Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit, që organizohet për herë të parë në Kosovë.


Festivali u organizua nga UBT dhe IWS Kosova, ndërsa ka mbledhur personalitetet dhe artistët më të njohur vendës e ndërkombëtarë.

 

‘’Kemi kënaqësi të veçantë të jemi mikpritës të Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit, ku artistët kanë krijuar një skenar të mrekullueshëm të punimeve me karakter të përshtatshëm për vendin tonë. Kosova ka potencial dhe talent,  që përmes artit të renditet në nivele ndërkombëtare dhe që çdo ditë e më shumë të ndikojë në imazhin pozitiv të Kosovës’’, vlerësoi Hajrizi.

 

E veçanta e Festivalit… ishte se artisti nga Kanadaja, Atanur Dogan,  e punoi portretin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

 

Ai u shpreh se kishte informacione të shumta se Adem Jashari është njëri nga personalitetet më të shquara dhe hero i kombit, me vlera të mëdha për Kosovën.

 

“Në saje të trimit dhe liderit siç është Adem Jashari, Kosova e fitoi pavarësinë. Ndihem shumë i lumtur që Kosova është një shtet i pavarur dhe me anë të këtij portreti dua ta shpreh kënaqësinë dhe nderin që gjendem mes jush‘’, ka thënë ai.

 

Në fund, Hajrizi theksoi se UBT do të vazhdojë zhvillim e aktivitete të këtilla edhe në vitet e ardhshme, që ndikojnë në imazhin pozitiv të Kosovës.